
Qeveria e Kosovës po thotë se futja në karantinë e komunave veriore është bërë më koordinim e vendim të tyre. Por, nga dje, asnjë vendim i nënshkruar nuk është prezantuar. Madje nuk është mbajtur as mbrëmë ose sot ndonjë mbledhje e Qeverisë për ta marrë këtë vendim, sic kishte ndodhur me disa komuna të tjera, shkruan Reporteri.
Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Mitrovica e Veriut dhe e Zveçanit janë vendosur në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe me rekomandim të ekspertëve shëndetësorë. Reagimi i Sveçlës erdhi pasi masat e para në Veri u morën si pasojë e vendimeve të autoriteteve lokale dhe atyre të Serbisë. Për këtë kanë raportuar mediat dje dhe sot, ku kanë prezantuar edhe dokuemnte nga Serbia.
“Komuna veriore e Mitrovicës dhe komuna e Zveçanit janë vendosur në karantinë për shkak të 16 rasteve të testuara pozitivisht me Covid-19. Sipas vlerësimeve dhe kërkesave të ekspertëve shëndetësorë, Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, në bashkërendim me të gjitha Institucionet ka ndërmarrë vendimet dhe masat e duhura gjithnjë. Ai është në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me dy kryetarët e këtyre dy komunave dhe autoritetet përgjegjëse. Unë, si ushtrues i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj, jemi në koordinim të plotë me Ministrin Vitia. Po ashtu bashkëpunimi me KFOR-in është permanent dhe tejet i mirë. Të gjitha institucionet përgjegjëse po përcjellin situatën pandërprerë në mënyrë që reagimi i tyre të jetë konform gjendjes”, ka njoftuar Sveçla.
Kur në Malishevë u konfirmuan rastet e para, vendimi për futjen e saj në karantinë, që nënkuptonte të ndalohen hyrje-daljet nga dhe në qytet u aprovua në Qeveri dhe u nënshkrua nga kryeministri Albin Kurti, shkruan Reporteri.net.
Vendim-i-Mbledhjes-së-10-të-të-Qeverisë-së-Republikës-së-Kosovës

Në rastin e komunave veriore, po thuhet se është me vendim të autoriteteve vendore por nuk është prezantuar ende asnjë vendim i tillë. As nga Qeveria as Ministria. Vendimi i fundit ne faqen e Qeverisë është ai për shkarkimin e një zëvendësministri.
Vendim ishte marrë edhe për qytetet e para me coronavirus, Klinën dhe Vitinë, dhe pikërisht nga Qeveria. Ky ishte vendim ishte marrë në mbledhjen e 10 të Qeverisë, shkruan Reporteri.


Ndërkohë që Qeveria thotë se e ka në kontroll dhe është në koorndim me ta, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të Republikës së Kosovës, ku dy komuna atje janë duke respektuar masat për karantinim të vendosura nga Beogradi.
Thaçi ka thënë se një situatë e tillë e krijuar në komunat e veriut është e papranueshme dhe është rrjedhojë e ngelizhencës së Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur ata njerëz dhe integritetin territorial të Kosovës,.
“Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai tutje ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk guxon që të lejojë që pjesa veriore të funksionojë nën direktivat e Beogradit, duke qenë se kështu i krijohet hapësirë Serbisë që të veprojnë brenda territorit të Kosovës.
Kanë reaguar edhe liderë tjerë politikë opozitarë duke shprehur shqetësim.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se zhvillimet e fundit në veri kanë cenuar rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Në konferencë media Veseli tha se akti i djeshëm i Serbisë, e cila shtriu gjendjen e saj të jashtëzakonshme në pjesë të Kosovës, duke futur me direktiva të Beogradit në karantinë dhe ndarë nga pjesa tjetër e vendit, dy komunat e Republikës se Kosovës, Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin, është cenim i rëndë i sovranitetit.
Ai shtoi se qeveria në ikje, përveç heshtjes ndaj kësaj situate, ka lënë veriun e vendit dhe tërë qytetaret shqiptarë dhe komuniteteve të tjera jo-serbe, në dorë të një shteti që as nuk i do dhe as nuk i mbron.
Veseli tha se muaj më parë në Kuvendin e Kosovës kishte paralajmëruar rrezikun që ky kryeministër do ta kthej Serbinë në Kosovë.
“Për javë të tëra kjo qeverie në ikje nuk ka reaguar ndaj vendosjes në veri të Kosovës të orës policore të imponuar nga Beogradi. Përveç heshtjes ndaj kësaj situatë, kjo qeveri ka lënë veriun e vendit dhe tërë qytetaret tanë, shqiptare dhe komuniteteve të tjera jo-serbe, në dorë të një shteti qe as nuk i do dhe as nuk i mbron. Por ajo që e bën më alarmante këtë situatë është fakti që kjo qeveri edhe ka aprovuar, me marrëveshje të fshehtë, futjen e qindra zyrtarëve të shtetit serb, ku jo të gjithë janë personel shëndetësor”, është shprehur Veseli.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pasi qeveria serbe ka vendos të fus në karantinë komunat veriore të Kosovës.
Limaj ka thënë se ky veprim është cenim dhe shkelje e rëndë e sovranitetit të Kosovës.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook”, kreu i Nismës ka thënë se veriu dhe çdo pjesë e Kosovës, mund të izolohen, vetëm me vendim të institucioneve të vendit, nëse paraprakisht vlerësohet se është e nevojshme një gjë e tillë.
Limaj e ka vlerësuar si shqetësuese edhe heshtjen e kryeministrit në largim duke u sjellë sikur nuk ka ndodhë asgjë./Reporteri