Sipas studimeve të fundit shkencore, përhapja e koronavirusit mund të ndodhë edhe përmes ajrit, dhe jo vetëm nga kontaktet.
Tani Organizata Botërore e Shëndetit është gjithashtu e gatshme të rishikojë masat e saj udhëzuese.
Kjo u njoftua nga drejtori përgjegjës i saj, David Heymann, duke njoftuar për BBC se “ne jemi duke studiuar provat më të fundit shkencore”. Ndërkohë, nga SHBA vjen rekomandimi për të përdorur maska në publik.
Jetëgjatësia e virusit
Studimet e plota mungojnë dhe do të duhen javë ose muaj për t’i marrë ato, por ajo që duket shumë e mundshme është që virusi mund të rezistojë në ajër shumë më gjatë sesa mendohej më parë. Për të vërtetuar këtë në mënyrë empirike janë të dhënat e infektimit në spitale te punonjësve shëndetësorë. Covid-19 në aerosol, pra jo në frymëmarrje normale, por ai i prodhuar nga makinat, mund të mbetet aktiv për shumë orë. Reanimacionet janë pikërisht vendet ku ambienti mund të ngopet më pas me ajër të infektuar dhe ku pa një mbrojtje adekuate, mjekët dhe infermierët janë në rrezik të madh.
OBSH e gatshme të ndryshojë udhëzimet
Deri më tani OBSH ka këshilluar kundër përdorimit të maskave për të gjithë. Nga ana tjetër ato janë një mall i çmuar për momentin dhe për këtë arsye është më e dobishme që maskat të arrijnë në spitale sesa në supermarkete. Por me të dhënat e reja për praninë e virusit në ajër situata është e ndryshme. Maska mund të jetë një armë shtesë për të ndaluar pandeminë. Prandaj OBSH mund të tërheqë hapat e saj dhe të këshillojë ose të imponojë përdorimin e maskës edhe në transportin publik apo në vendet e punës ku distanca prej një metri midis punëtorëve nuk mund të garantohet. Më pas edhe për anëtarët e familjes që ndihmojnë një person të infektuar në shtëpi. Të gjithë në këtë rast duhet të veshin një maskë.
Distanca mbetet arma më e mirë
Mbajtja e distancës prej një metri është arma më e mirë për të shmangur infektimin. Të gjithë ekspertët pajtohen për këtë. Mbi maskat mbetet dyshimi i përdorimit të gabuar nga ana e njerëzve. Shumë që i mbajnë mendojnë se janë të sigurt, por në realitet nëse hunda lihet e zbuluar është si të mos e veshësh maskën. Kësaj i shtohen edhe sytë që mbeten jashtë mbrojtjes dhe janë po aq një vend hyrjeje për virusin. Përveç kësaj, OBSH fton njerëzit të mësojnë se si duhet të hiqen maskat: pjesa e jashtme nuk duhet të preket kurrsesi, ndërsa është gjithmonë e nevojshme të lani duart shpesh. /Përshtati LAPSI.al