
Tottenhami po vazhdon të insistojë për sulmuesin kosovar, të cilin e sheh si opsion shtesë në fazën ofanzive
Tottenhami duket të jetë klubi më i interesuar për t’i siguruar shërbimet e Vedat Muriqit.
Klubi anglez po e vëzhgon qe një kohë të gjatë sulmuesin kosovar.
25 vjeçari po e kalon një sezon pozitiv me Fenerbahçen, por edhe me Përfaqësuesen e Kosovës, dhe kjo ka bërë që klubet e njohura evropiane t’ia vënë syrin atij.
Trajneri Jose Mourinho e pëlqen futbollistin prizrenas dhe e do atë në Londër nga sezoni i ardhshëm.
Në fakt, mediumi britanik “Daily Star” shkruan se trajneri portugez e sheh përfaqësuesin kosovar si një alternativë ideale të sulmuesve aktualë, Harry Kane dhe Son Heung-min.
Ai pëlqehet edhe nga klubet tjera angleze si Manchester United, Leicester City, Newcastle United, Burnley dhe Brighton.
Gjithashtu, në Itali e pëlqen Lazio.
Kartoni i Muriqit kushton 20 milionë euro dhe nënkampioni aktual evropian nuk do ta kishte të vështirë ta paguajë këtë shumë.
Muriqi i ka realizuar 12 gola dhe i ka dhuruar 4 asistime në 18 ndeshje në kampionatin turk këtë sezon.