Publicisti Veton Surroi, ka reaguar pas deklaratave të Erdoganit, pasi ky i fundit reagoi ashpër ndaj Ramush Haradinajt, duke i ftuar edhe qytetarët e Kosovës të protestojnë kundër tij.
Surroi në një postim në Facebook ka thënë se Kosova duhet t’i përgjigjet këtij reagimi, por jo në këtë mënyrë. Ai ka renditur edhe 5 pika mbi të cilat MPB mund të reagojë.
“Vendimi për rrëmbim dhe dorëzim të gjashtë qytetarëve turq tashmë ka krijuar edhe incidentin e pritshëm në marrëdhëniet me Turqinë. Reagimi i presidentit Erdogan ishte emocional, ai i Kosovës nuk duhet të jetë i tillë. Megjithatë vendi ynë duhet të reagojë”, ka shkruar Sorroi.
Ky është reagimi i tij i plotë:
Vendimi për rrëmbim dhe dorëzim të gjashtë qytetarëve turq tashmë ka krijuar edhe incidentin e pritshëm në marrëdhëniet me Turqinë. Reagimi i presidentit Erdogan ishte emocional, ai i Kosovës nuk duhet të jetë i tillë. Megjithatë vendi ynë duhet të reagojë
Nëse MPJ dëshiron ta bëjë këtë, duke e thirrë ambasadoren turke në Prishtinë ja disa pika që mund të përcillen:
1. Kosova e konsideron Turqinë një aleate të rëndësishme, që nga ditët e ndërhyrjes së NATO-s për liri, ashtu edhe duke prirë në njohje pas pavarësisë.
2. Jemi të brengosur me deklarimin e presidentit Erdogan, aq më shumë kur dimë për ndjenjën miqësore që ka për konsolidimin e Kosovës. Fjalët e adresuara ndaj kryeministrit tonë nuk e reflektojnë sensin tradicional të miqësisë
3. Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të saj për mospërfillje procedurash , ligjesh e normash të Kushtetutës së vendit, me rastin e dorëzimit të gjashtë qytetarëve turq autoriteteve të Turqisë. Qeveria është tejet e brengosur me shkeljen e mundshme të konventave evropiane, që , si shtet evropian, janë pjesë e rregullimit tonë juridik.
4. Kryeministri i Kosovës është zgjedhur në procedurë të rregullt demokratike. Mandati i tij rrjedh nga vota qytetare dhe ai i përgjigjet asaj. Ashtu si jemi deklaruar çdo herë, pra edhe me përpjekjen anti-kushtetuese të rrëzimit të pushtetit në Turqi më 2016,ekziston vetëm një formë e përfundimit të mandatit të Kryeministrit,ajo është me Kushtetutën e vendit.
5. Shpresojmë të vazhdojmë komunikimin ,pa këtë barrë të panevojshme emocionale.