President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar urgjentisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Mjaft e keni cenuar lidhjen tonë speciale me ShBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë. Të gjithë ne, krerë institucionesh, liderë politikë apo qeveri, jemi të zëvendësueshëm. Por, jetike dhe të pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës janë vetëm raportet me ShBA-në. Konfrontimi me ShBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.