970×90
970×90

Postimi prekës i Zenelit për Fadil Vokrrin: Më 26 mars mund ta shkruajmë historinë

Postimi prekës i Zenelit për Fadil Vokrrin: Më 26 mars mund ta shkruajmë historinë

Ylli i Kosovës, Arbër Zeneli, e ka publikuar një postim prekës në llogarinë  e tij zyrtare në rrjetin social Instagram për të ndjerin Fadil Vokrrin dhe ndeshjen e Kosovës kundër Maqedonisë së Veriut më 26 mars për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020.

Në shtator të vitit 2018, Kosova e zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe arriti të shënojë fitore me rezultat 2:0 kundër Ishujve Faroe. Në atë ndeshje kishte shënuar pikërisht Arbër Zeneli, që golin ia kishte dedikuar ish-futbollistit legjendar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, tashmë i ndjerë, Fadil Vokrrit, raporton Gazeta Express.

Tash që Kosovën e pret një tjetër ndeshje historike – ajo kundër Maqedonisë së Veriut më 26 mars në gjysmëfinale të play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian – Zeneli e ka kujtuar sërish Vokrrin dhe golin e tij në ndeshjen historike të Kosovës kundër Ishujve Faroe pothuajse dy vjet më parë.

“Ky gol iu dedikua një personi të veçantë! Një personi që e ngriti futbollin tonë në një tjetër nivel. Më 26 mars mund ta shkruajmë historinë dhe ta bëjmë ate dhe vendin tonë krenarë! #serishvjenmarsi”, shkroi Zeneli në Instagram.

Nëse Kosova e fiton ndeshjen e 26 marsit kundër Maqedonisë së Veriut, asaj do t’i duhej vetëm edhe fitorja në finale, që zhvillohet tre ditë më vonë, kundër Gjeorgjisë ose Bjellorusisë, për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020.

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, do të shpresojë që Zeneli të mund t’i ndihmojë Kosovës në këtë tentim pasi që ai kishte munguar në shumicën e ndeshjeve të Kosovës të Grupit A kualifikues për EURO 2020 shkaku i lëndimit që e pësoi në ndeshjen kundër Malit të Zi në qershor dhe që e mbajti tetë muaj jashtë fushës së blertë, deri në kthimin e tij në fundjavën e kaluar. 

Related posts