Policia e Kosovës ka arrestuar katër zyrtarë të Telekomit të Kosovës, gjatë një aksioni të realizuar sot rreth orës 09:00 të mëngjesit në zyrat e kësaj ndërmarrjeje.
Në një njoftim për media, Policia ka thënë se arrestimet dhe bastisja e katër zyrave të Telekomit të Kosovës janë realizuar me qëllim të gjetjes së provave materiale lidhur me dyshimet e ngritura rreth një kontrate të ndërmarrjes me vlerë prej 100 mijë eurove.
“Operacioni policor ka përfshirë bastisjen e katër (4) zyrave të Telekomit të Kosovës, zyrat qendrore në Prishtinë, me qëllim të gjetjes së provave materiale lidhur me dyshimet e ngritura rreth nënshkrimit të një kontrate në dhjetor të vitit 2019, ku dyshohet se buxheti i Telekomit të Kosovës është dëmtuar me një shumë prej mbi njëqind mijë (100,000.00) euro”, ka thënë Policia.
Lidhur me këtë rast janë shoqëruar në polici katër persona, ka thënë Policia, teksa ka bërë të ditur se ata “janë duke u intervistuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘lidhje e kontratës së dëmshme’”.
Policia e Kosovës gjatë kontrollit në këto lokacione ka sekuestruar disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin si dokumentacione, pajisje elektronike, telefona celular etj., dëshmi këto të cilat do të procedohen sipas procedurës ligjore.