“Me mbështetjen e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe të institucioneve përgjegjëse do të bëjmë ç ‘është e mundur për hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës lidhur me operacionin e ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ku janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq”, ky ishte mesazhi që shefi i Stafit të Kryeministrit të Kosovës, Avni Arifi, gjatë takimit ju përcjelli familjarëve të personave të arrestuar gjatë ditës së djeshme.
“Kryeministri Ramush Haradinaj pas paqartësive të krijuara dhe mosinformimit në kohë të duhur lidhur me këto zhvillime, në bazë të kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese sot ka ndërmarrë hapat e nevojshëm duke liruar nga detyra Drejtorin e AKI-së, Driton Gashi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj”, tha Arifi.
Gjatë takimit familjarët u informuan për gjithë këtë situatë të krijuar dhe morën zotimin se do të sqarohen të gjitha të panjohurat lidhur me këtë rast.