Zvicra (dhe të gjithë shtetet e BE-së) për të përndjekurit shqiptar!
E drejta e azilit është një e drejtë e lashtë, ku një person i persekutuar nga vendi i tij për bindjen e tij politike ose fetare, mund të mbrohet dhe strehohet nga një shtet i huaj. E drejta për azil sot kudo në botë ka avancuar, e këtë të drejtë, Zvicra dhe të gjithë shtetet e BE-së, madje edhe Amerika e largët na e kanë dhënë neve shqiptarëve, e sidomos pas vitit 1980. Presidenti i tanishëm i vendit Hashim Thaçi, lideri i shqiptarëve në Maqedoni z. Ali Ahmeti, e shumë e shumë shqiptarë të tjerë të përndjekur nga Serbia, janë strehuar në Zvicër dhe ne shtetet tjera.
Fatin e shumë shqiptarëve e kanë pasur edhe dy të afërm të mi në vitin 1989 dhe në vitin 1990.
1989
Në vitin 1989, Muharrem Vata, është plagosur në Suharekë, nga Policia Serbe, i plagosur dhe i shtrirë në Spitalin e Prizrenit, ruhej nga policët serb, por nuk mund ta ruanin kur patrioti Alush Shala (tani asamblist i PDK-së në Prizren) vendosi ta tërheqë në mënyrë të fshehur nga Spitali i Prizrenit, dhe Muharrem Vatën e dërgon në Zvicër.
Zvicra, Muharrem Vatën e plagosur e pranon (pa asnjë dokument), e shëron duke i shpëtuar jetën, të cilën jetë serbët kanë dashur me ia marrë.
Muharrem Vata, nga viti 1990 deri sot nga doktorët e Zvicrës është bërë 16 herë operacion, ai vazhdon me u trajtua nga Zvicra, derisa mjekët e këtij shteti vazhdojnë të luftojnë me plumbin e policit serb, për t’ia shpëtuar jetën Muharrem Vatës, bashkështetasit e të cilit sot kanë vendosur me i dëbuar disa turq të përndjekur nga regjimi i Erdoganit.
1990
Në vitin 1990, pak para se të vdiste Fadil Vata, në mënyrë ilegale dërgohet në Zvicër, nga patriotët Fadil Fazliu (vëllai i dy dëshmorëve Fahri dhe Bahri Fazliu) dhe Ali Ahmeti (lideri i shqiptarëve në Maqedoni), të cilin Zvicra e ka pranuar dhe ka bërë përpjekje ta shërojë. Fatkeqësisht përpjekja e doktorëve të Zvicrës nuk ka rezultuar me sukses, dhe Fadil Vata më 25 prill 1990 vdes, por përpjekja e helvetikëve për Fadil Vatën nuk ka ngelur me kaq. Nga 25 prilli deri me 9 maj, çdo ditë nëpërmjet Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, i është bërë presion Serbisë për ta pranuar kufomën e Fadil Vatës në Kosovë, sepse Serbia ka këmbëngulur që Fadil Vata mos ta kthehet as të vdekur në Kosovë.
E sot, ndihem jo krenar me vendin tim, që ka marrë një vendim për dëbimin e disa shtetasve turq, për në Turqi, të cilët kishin leje qëndrimi në Kosovë.
Sot, vendi im është treguar i ligë, vendi im sot ka vepruar në kundërshtim me Deklaratën Universale për të drejtat e Njeriut” ku për të drejtën e azilit thotë se “në rast ndjekjeje, çdo person ka të drejtë të kërkojë azil dhe ta fitojë atë në secilin vend” (neni 14, paragrafi 1), e kështu thuhet në të gjithë deklaratat, konventat dhe të gjithë mendjet e ndritura. Kështu kemi kërkuar edhe ne deri dje, nëpër botë, kudo ku gjenim vrimë për të dalë.
Vendimi për dëbimin e shtetasve turq për në Turqi, sigurisht që nuk mund të kthehet prapa, edhe nëse revokohet vendimi, sepse ata tanimë janë të mbyllur dhe të mbyllur do të qëndrojnë. Uroj të mos vdesin në burgje, duke u lutur që të përndjekurit tjerë të mos e shkelin Kosovën.