Ministria e Punëve të Jashtme përmes një komunikate për media, ka dënuar fuqishëm deportimin e qytetarëve turq nga Republika e Kosovës.
“Kjo thjeshtë nuk do të duhej të ndodhte në asnjë rrethanë. Republika e Kosovës ka dëshmuar se respekton standardet bashkëkohore demokratike, dhe në këtë kontekst arrestimi dhe deportimi i qytetarëve turq me qëndrim të rregullt në Republikën e Kosovës, është në kundërshtim me frymën e ligjeve të vendit dhe në përplasje të drejtpërdrejtë me normat ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, thuhet se respektimi i të drejtave të njeriut është parakusht i funksionimit demokratik të një vendi, dhe askush me mirë se qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk njeh më mirë rëndësinë e tyre universale, e cila tejkalon konceptin shtet-centrik.
“Çfarëdo trajtimi i cilido qytetar të huaj në Republikën e Kosovës, duhet të mbështetet në proces transparent, në përputhje të plotë me Ligjet e vendit, në harmoni me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe në linjë me qasjen perëndimore të respektimit të të drejtave të njeriut”, thuhet ndër të tjera.
Gjithashtu në reagim thuhet se në ditët në vijim, do të kërkojnë përgjegjësi nga të gjithë të përfshirët në këtë veprim, të ofrojnë gjithë informacionin, i cili do të hidhte dritë mbi mënyrën e organizimit, arrestimin dhe deportimin e qytetarëve turq.
“Ministria e Punëve të Jashtme kundërshton këtë veprim, si dhe shpreh keqardhje të thellë për familjarët e të deportuarve”, përfundon reagimi.
Kujtojmë se MPJ udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, parti kjo e cila në koalicioni qeverisës udhëheq edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në kanë kryer arrestimin e gjashtë gylenistëve.