Avokati Tomë Gashi ka deklaruar në Info Magazine të Klan Kosovës se arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq nga organet e Kosovës është një skandal me përmasa ndërkombëtare.
Ai ka thënë se procedura e përshpejtuar e largimit të këtyre personave nga Kosova ishte krejt e paligjshme dhe e gabuar.
“Në Kosovë nuk ka procedura për dëbimin e kujtdoqoftë. Sot ka vepruar mjerisht shteti i Kosovës, me urdhra politikë. Ky nuk është ekstradim, por dëbim i njerëzve që kanë pasur lejeqëndrim. Kjo mund të ndodhë vetëm në shtet totalitar, aty ku policia e ka në dorë shtetin”, ka deklaruar Gashi.
“Ky skandal ka përmasa ndërkombëtare dhe ata janë dëbuar në një mënyrë krejt të vrazhdë”.
“Ka procedura të tjera dhe këtyre personave është dashur t’iu ofrohet e drejta e tyre e azilit politik, apo e drejta për të zgjedhur një shtet të tretë”.
“Ky mund të konsiderohet si kidnapim. Kurse sa i përket politikanëve tanë dhe popullit të Kosovës, duhet ta dinë se këta janë të dëbuar vetëm se janë përkrahës të Fetullah Gulenit”.
“Shtetet e Bashkuara dhe ndonjë shtet tjetër demokratik normal nuk e ka bërë këtë dëbim. Për herë të parë e bëri Kosova”.