Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në një forum në Senatin Amerikan, ku është diskutuar për nevojën e ngritjes së kapaciteteve për të qenë më të fortë në mbrojtje nga kërcënimet e sigurisë dhe influencës se Kinës dhe Rusisë në sistemet e telekomunikimit.
Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Kosova nuk ka rënë pre e kësaj influence pasi ka refuzuar investimet kineze dhe ruse në fushën e telekomunikimit.
“Sot në Senatin Amerikan, mora pjesë në forumin e organizuar nga Senatori Inhofe, kryesues i Komitetit për Shërbimet e Armatosura dhe gjenerali Jim Jones, rreth temës së kërcënimeve ndaj sigurisë duke e përfshi edhe atë kibernetike. Në këtë forum, mes senatorëve dhe kongresmenëve të ShBA si dhe udhëheqësve nga Europa Juglindore, diskutuam për nevojën e ngritjes së kapaciteteve për të qenë më të fortë në mbrojtje nga kërcënimet e sigurisë dhe influencës se Kinës dhe Rusisë në sistemet e telekomunikimit”.
“Siguria vjen e para! Kosova nuk ka rënë pre e kësaj influence pasi ka refuzuar investimet kineze dhe ruse e veçanërisht ka refuzuar kompanitë kineze në fushën e telekomunikimit dhe 5G. Kosova me krenari është rreshtuar ne krah të ShBA-së dhe partnerëve të saj dhe ky qëndrim i qartë forcon partneritetin dhe miqësinë”, ka shkruar Haradinaj.