Në mars të vitit 1999 qëllimi i vetëm i intervenimit të NATO-s n’Kosovë ka qenë kthimi i shpresës me kthimin e njerezve. Dhe ky qëllim atëherë u arrit. Shpresa u kthye bashkë me lirinë…
Sot, 19 vite më vonë, n’Kosovë shpresë më s’ka, liri ndoshta po. Shpresën e marsit 1999 e shqelmuan përdhunuesit e ëndrrave të një populli të shkretë. Ata që e mbytën n’embrion shtetin që do lindte.
Sot, 19 vite më vonë, shpresa e vetme n’Kosovë mbetet ikja, ikja nga Kosova…
Ikja për bukë, për shërim, për shkollim, për ëndrra, për shpresë…
Sa e tmerrshme e sa e nevojshme ikja për mbijetesë! Ikja nga mishi i prishur, nga barnat e falsifikuara, nga mjekët përbindësha, nga banditët e kravatuar…ikja nga çnjerëzorja.
E tash s’kemi as miq që t’na kthejnë shpresën. As bomba e as avionë. Jemi rrugëve. Të pa vend, të pa shtet, të pa shpresë. Tash jemi përsëri ai populli endacak i pa formuar, i pa organizuar, i pa kombëzuar. Jemi ai vendi që kujt t’i teket e sulmon, e copton, e bllokon.
Megjithatë, përpjekja s’bën të ndalet, ashtu siç s’u ndal me qindra vjet.
Tash duhet t’ia kthejmë shpresën këtij vendi, këtij populli. Është urgjenca më e madhe që e kemi pasë ndonjëherë.
…
?? Mirënjohës ??
Nezir Kraki