Zyra për media e kryeministrit Ramush Haradinaj, është deklaruar rreth iniciativës së Listës Serbe për themelimin njëanshëm të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në përgjigjen zyrtare për KosovaPress thuhet se asnjë nismë e cila nuk është e bazuar në ligjet dhe procedurat demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të implementohet dhe nuk do të respektohet.
“Asociacioni është obligim që Kosova e ka marrë në procesin e Brukselit dhe i cili do të implementohet në të ardhmen e afërt. Asnjë nismë, e cila nuk është e bazuar në ligjet dhe procedurat demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të implementohet dhe nuk do të respektohet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve për informim të kryeministrit.
Ndryshe, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq përmes një takimi që është duke u mbajtur në Veri, ku të pranishëm janë të gjithë kryetarët serbë të komunave të Kosovës, ka thënë se më 20 prill serbët e Kosovës njëanshëm do ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe.