Ka hyrë i pashqetësuar në pallatin e shpallur të pabanueshëm nga tërmeti. I veshur si femër killeri ka ngjitur shkallët deri në katin e fundit dhe ka hyrë në një apartament të boshatisur për të bërë gati çantën ku mbante snajperin.
Këto kanë qenë disa nga lëvizjet që ka kryer vrasësi që ekzekutoi me plumb në zemër 47 vjeçarin Kastriot Reçi, vrasje e cila u krye ditën e djeshme në Rrëshen.
Autori ka qenë në dijeni se në banesën ku ai do të pozicionohej, nuk ka patur njerëz. Fotot dhe pamjet e përcjella nga report tv, tregojnë dhe vendin ku mendohet se ka qëlluar snajperisti profesionist.
Nga lartësia e pallatit, killeri dukshëm ka patur një fushëpamje të qartë të objektivit dhe vrasjen e ka kryer me precizion.
Më tutje autori i paidentifikuar është larguar me shpejtësi duke lënë mbrapa armën si dhe duke hedhur parukën në dalje të qytetit, fare pranë tregut. Policia tashmë e ka gjetur parukën dhe ka nisur analizat për të nxjerrë materiale biologjike që mund ta çojnë drejt gjetjes së snajperistit.
Madje sipas Report tv-së, banesa ku është kryer vrasja ka qenë në pronësi të një miku të Tonin Gjinit, i cili u vra në gushtin e vitit të kaluar në një atentat po në Rrëshen. Mbi vrasjen e Gjinit u dyshua për përfshirjen e Kastriot Reçit, por edhe kësaj here dosja mbeti pa autor ashtu si seritë e tjera të vrasjeve mes dy fiseve.
Po kush është Tonin Gjini, i njohur edhe me emrat Armando e Antonio Gjini dhe çfarë lidhje ka me Reçin?
Vrasja e parë që nisi serialin e ekzekutimeve ishte e vitit 2016 në Rrëshen e ish-zyrtarit të OSHEE për Veriun, Saimir Jaku, i vrarë në një skemë të ngjashme si Kastriot Reçi sot, teksa pinte kafe në lokal në qendër të qytetit. Vrasja e 2016-ës është mbyllur pa autor ndërsa në atë kohë u dyshua edhe Kastriot Reçi, por përfshirja e tij nuk u faktua asnjëherë, ndaj dhe u lirua. Ndërsa në 12 Gusht të 2019, po në Rrëshen vritet Tonin Gjini, i njohur edhe me emrat Armando e Antonio Gjini. Ngjarjet për të cilat ende nuk kanë asnjë autor të arrestuar apo të identifikuar, së bashku me ekzekutimin e Kastriot Reçit po hetohen në një të vetme.
Burime të besuara pranë policisë bënë me dije se vëllai i Tonin Gjinit dyshohet të ketë qenë i përfshirë dhe bashkëpunëtor në aktivitetin e jashtëligjshëm që dyshohet se kryente në Itali, Gasper Reçi, vëllai të Kastriot Reçit. Të njëjtat burime sqaruan se Kastriot Reçi ishte po ashtu në listën e policisë si një nga personat që mund të kishte marrë pjesë në vrasjen e Tonin apo Armando Gjinit, ndërsa ky i fundit njihej si pjesë e grupit të Met Kananit dhe i arrestuar për drogë në 12 Maj të 2018.