Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, ka publikuar një video në Facebook ku i bën përsëri ofertë Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që të dërgojë 5 emra për ministra dhe zv/kryeministrin e parë para se Kurti të zhvillojë takimin me kreun e shtetit, Hashim Thaçin.
E menjëherë pas kësaj, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, tha se nuk e ka parë ende ofertën e re të Kurtit, por që sipas tij gjërat kanë ndryshuar që nga seanca konstituive e Kuvendit ku VV vendosi në krye të Kuvendit, Glauk Konjufcën.
“Nuk është rrugë e duhur kjo të komunikohet në publik, nuk e kam parë ofertën, por pas 26 dhjetorit ku u zgjedh kryetari i kuvendit nga VV, LDK duhet ta shqyrtoj pozicionin tonë. Do të mblidhemi sot për të shqyrtuar të gjitha opsionet tona”, ka thënë shkurt Veliu për GazetaBlic.
Kurti ka thënë se sot do të shkojë në takim me presidentin e vendit, Hashim Thaçin pa pasur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Sot u bënë tre muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, kur qytetarët masivisht votuan edhe për ndryshime politike në vend edhe e bënë Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjekt të parë e fitues. Më 26 dhjetor 2019, në seancën konstituive të legjislaturës së shtatë u detyruam të shkojmë pa marrëveshje me LDK-në. Sot, më 6 janar 2020, në takim konsultativ me Presidentin e Republikës, sërish jam i detyruar të shkoj pa marrëveshje me LDK-në. Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk m’u bë e mundur të kem një takim me kryetarin e LDK-së para këtij takimi të sotëm me Presidentin e shtetit”, ka deklaruar Kurti.
I njejti ka thënë se nuk ka kohë për të humbur, derisa, ju bën thirrje LDK-së që të propozojë emrat e ministrive, ndërsa, ka publikuar edhe emrat të cilët i ka propozuar ai.