
Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuzat të gjithë të akuzuarit në rastin e shumëpërfolur “Pronto”, shkruan Reporteri.net.
Adem Grabovci, Zenun Pajazit, Besim Beqaj dhe 8 të akuzuarit e tjerë janë shpallur të pafajshëm në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, nën arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme.
Gjyqtari Shasivar Hoti ka thënë se nuk është provuar vepra penale, ndërsa arsyetimin e detajuar ka thënë se do ta japin me shkrim.
Ata akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.