Më shumë se dy orë kanë kaluar prej nisjes së takimit në Kuvend të Kosovës në mes të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe të parit të LDK-së, Isa Mustafës, që po tentojnë arritjen e marrëveshjes së koalicionit, raporton Gazeta Express.
Dy liderët, janë takuar sot në përpjekje për t’u marrë vesh për postin e presidentit, pozitë kjo që po i lë LDK-në e VV-në pa u pajtuar qysh prej shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Para fillimit të takimit, shkurtimisht para mediave ka folur lideri i LDK-së, Isa Mustafa që tha se nuk e di nëse sot do të arrihet marrëveshja. Pak minuta më vonë, Express ka raportuar se Mustafa ka thirrur për nesër mbledhje urgjente të kryesisë së partisë, me gjasë për t’i informuar lidhur me zhvillimet në takimin e sotëm.
Optimist për arritje të marrëveshjes është parë sot gjatë ditës edhe lideri i VV-së, Albin Kurti.
Kujtojmë që LDK e VV janë pajtuar tashmë për ndarje të ministrive. Kurti e Mustafa sipas këtij dakordimi kanë zgjedhur nga pesë ministri, derisa 2 shkojnë për minoritetet.
LDK-ja kishte zgjedhur fillimisht MPB-në, pastaj Ministrinë e Arsimit, Bujqësisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Planifikimit Hapësinor.
VV-ja, ndërkaq, zgjodhi Ministrinë e Punëve të Jashtme, të Financave, Zhvillimit Ekonomik, Shëndetësisë dhe Drejtësisë.
Takimi i sotëm do të saktësojë edhe bisedimet për çështjen e presidentit që do të pasojë, Hashim Thaçin.