Ngjarjet e mëdha historike që u zhvilluan në terrenet e fshatit të lashtë Junik prej datës 16 tetor – 8 nëntor 1944, janë ndër më të rëndësishmet që nga kohërat e Mesjetës së Hershme e deri më sot./Kumti.com
Në momentin e këtye ngjarjeve historike u bë përpjekje e madhe e njerëzve të dijshëm e me përvojë, e parësimit të vendit, të shpiegonin se «ideja komuniste dhe postulatet e teorisë marksiste-leniniste nuk ishin të përshtatshme për popullin shqiptar». Ato mësime e përvoja të shumta të komunistëve të njohur shqiptarë, që morën dhenë e u përhapën shumë shpejt gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u përqafuan nga një pjesë e popullsisë shqiptare, do të binin ndesh me kodet e lashta dokesore-ligjore të «Kanunit të Lekë Dukagjinit». Prandaj, pleqtë e moshur, paria e vendit dhe Oda e Junikut (që ka pleqnuar në Malësi dhe në tërë Kosovën ç’prej shek. XI e deri në fillim të shek. XXI) rrezistuan me këmbëngulje kundër depërtimit të brigadave partizane në trojet e Kosovës.
Juniku, ku u zhvilluan këto ngjarje, është fshati më i madh i Shqipërisë Veriore dhe i Kosovës. Ky vendbanim ka gjeostrategji shumë të përshtatshme që rrallë mund të gjendet e tillë në Siujdhesën Ilirike (Ballkanike). Për këtë arsye fshati Junik u zgjodh për rrezistencë dhe vetmbrojtje të irredentës shqiptare. Në muajin tetor e nëntor, para 70 vjetësh, u vendosën në Junik e në fshatrat përreth parësimi i nahijes së Gjakovës, për t’i penguar e për t’i luftuar brigadat partizane që të mos hynin në Kosovë.
Në Shtabin e rrezistencës bënin pjesë burra në zë, paria e vendit dhe ushtarë e komandantë që kishin udhëhequr njësi ushtarake të organizuara si dhe vullnetarë që kishin luftuar për mbrojtjen e Plavë-Gucisë nga sulmet çetnike-partizane. Këta burra që u përballën në Junik me brigadat partizane, i kishin bashkuar trojet shqiptare në një shtet që u quajt Shqipëria etnike (1941-1945, gjegjësisht 1941-1948, kur u mbyll kufiri i Shqipërisë me Kosovën).
Deme Ali Pozhari
Shtabi i mbrojtjes ishte vendosur në kullën trikatëshe të Brahim Metës së Botushës. Përgjegjës për këtë shtab ishte caktuar Demë Alia i Pozharit. Në çastet kritike të luftës rrinin me Demën në kullë 30 xhandarrë të Xhafer Devës; Xhemajl Haradinaj i Gllogjanit, Hajdar Meta me të birin, Sadrinë, nga Irzniqi (nip bije i Demë Alisë), Imer Zeka i Ferizaj nga fshati Kodrali dhe Sadik Rama i Pozharit (djalë axhe i Demës).
Në elitën e luftëtarëve të drejtuara nga ky shtab i Demë Alisë, gjendeshin edhe kaçakët-veteranë që kishin luftuar në Zonën Neutrale të Junikut (1921-1923), si: Isuf Musa i Pozharit me të vëllain, Halilin, Ramë Binaku i Dashinocit, Haradin Riza i fshatit Kodrali (që e vranë partizanët në Junik më 29.10.1944); Ramë Tahiri i Gecaj nga Lluka e Poshtme, Hajdar Tafa i Pozharit; mandej Ali Bajraktari, Ali Salihu dhe mbarë paria e Junikut. Paria e Junikut i drejtonin luftëtarët dhe u gjenin vendbanim në kullat e Junikut dhe në fshatrat tjera përreth.
Kjo ngjarje historike, me sa di unë, nuk është trajtuar ndonjëherë objektivisht e në mënyrë shkencore. Duke u lënë anash, ose duke u trajtuar njëanshëm sipas ideologjisë komuniste, Lufta e Junikut me rrethinë dhe «Ngujimi i Junikut» mbet i anatemuar; ndërkaq, luftëtarët që ishin pjesëmarrës e që nuk u pajtuan me rendin komunist si dhe elita udhëheqëse e irredentës shqiptare e atyre ngjarjeve, u likuiduan të gjithë nga sigurimet shtetërore jugosllave e shqiptare, OZN-a, UDB-a dhe Sigurimi.
Për temën në shqyrtim, kësaj radhe, do të trajtoj vetëm disa rrethana e ngjarje që i mbaj në kujtesë qysh atëherë dhe që m’i kanë treguar pjesëmarrësit në këto ngjarje. Ndërkaq, për zhvillimin e luftës në terrenet e Junikut, në tetor – nëntor 1944, si dhe për pasojat që dolën pas kësaj ngjarjeje, do t’i trajtoj pak më vonë.
Lufta e Botushës «Ngujimi i Junikut», pat filluar më 16 tetor 1944, në mëngjes, kur kishin sulmuar brigadat partizane malazeze «Bokeshka» me Brigadën e Dytë Sulmuese. Vendasit ishin pozicionuar nëpër kullat-fortesa të Junikut në të gjitha anët e Rogopeçit historik, ndërsa partizanët gjendeshin në Mornicën e zhveshur.
Për shkaqe strategjike Shtabin e rrezistencës paria e Junikut në fillim e kishte vendosur në Botushë, e pas disa ditësh, siç u tha, u vendos në kullën e Brahim Metës.
Në Junik aso kohe gjendej një formacion ushtarak gjerman, të cilët u kishin lënë luftëtarëve shqiptarë aramtim të bollshëm. Numri i vullnetarëve – luftëtarëve ishte i madh, prandaj brigadat partizane malazeze nuk patën sukses. Për këtë arsye, atyre u erdhën në ndihmë brigadat partizane shqiptare, me ç’rast ndryshoi situata.
Brigadat partizane shqiptare që erdhën në Junik i komandonte Shefqet Peci. Ky komandant, i zgjuar e largpamës, bëri marrëveshje me Shtabin e rrezistencës në Junik, ndaj u bë një luftë me shumë kujdes. Qëllimi kryesor i këtij kujdesi dhe i kësaj marrëveshjeje ishte pikësynimi që të mos dëmtohej popullata e këtij terreni, duke luftuar shqiptarët kundër njëri-tjetrit.
Në dy-tri ditët e para të nëntorit 1944, brigada gjermane që ndodhej në Junik ishte nisur drejt Pejës. Në Deçan, te Ura e Demit mbi Bistricë dhe në terrenet rrëzë Kishës së Deçanit ishte bërë një luftë e rreptë mes forcave partizane dhe brigadës gjermane, që ishte në tërheqje. Në këtë luftë që zgjati 3-4 ditë, u vranë 4 partizanë të «Bokeshkës» dhe u plagos koloneli Vuk Shaliqi.
Në këto momente, posa kishin filluar të tërhiqeshin gjermanët nga Juniku, Shtabin e rrezistencës e kishin rrethuar njësitet e brigadave partizane nga të gjitha anët. Për këtë arsye nga shumë fshatra të nahijes së Gjakovës e veçmas fshatrat e Dushkajës ishin tubur në Drenoc, Te Blinat. Aty gjendeshin mëse 1000 luftëtarë që do të shkonin në Junik për ta çarë rrethimin. Ishte caktuar Sadik Elezi i Alaj të Drenocit që t’u printe atyre luftëtarëve deri te kulla e Brahim Metës dhe t’i nxirrnin nga ngujimi pjesëtarët e Shtabit e Demë Alinë. Sadiku u kishte prirë luftëtarëve, por kur kishin arritur te lumi Tërravë, kishin kërcitur dy pushkë nga bashkëpunëtorët e partizanëve. Me këtë ishte dhënë signali që të bojkotohej lufta kundër partizanëve. E tërë ajo masë e madhe luftëtarësh ishte shpërndarë. Kishin mbetur vetëm 7 vetë – luftëtarë për ta ndihmuar Shtabin e rrezistencës: Sadik Elezi, Ramë Binaku, Rrustem Syla dhe katër të tjerë, që u kërkoj ndjesë familjarëve që i kam harruar emrat e tyre).
Qëllimi kryesor që partizanët e kishin rrethuar Shtabin e rrezistencës ishte asgjësimi dhe likuidimi i pjesëtarëve të këtij Shtabi, veçmas zhdukja e Demë Ali Pozharit. Kullën e Brahim Metës, ku ishte Shtabi, partizanët e granatuan me mortaja, ku u vra edhe nikoqiri i kësaj kulle Halit Dërvishi.
Në terrin e asaj nate, thoshin pleqtë, Dema kishte urdhëruar të çahej rrethimi dhe pastaj të shpërndaheshin secili në drejtimin e vet. – Për të gjitha këto ngjarje, përgjegjësinë e mbaj unë – u kishte thënë Dema të pranishmëve. Kishin dalë nga ngujimi për flakë të pushkëve, pa u dëmtuar asnjëri prej tyre. Kishte shpëtuar edhe Demë Alia, i cili, pa u ndalë askund rrugës, kishte shkuar tek Adem Ramë Mataj në Baballoç, ku kishte pushuar atë natë. Të nesërmen Dema kishte marrë me vete Metë Bajramin e Baballoçit dhe kishin dalë në Irzniq, por çyrkun e shpuar nga plumbat dhe të bërë «blozhdë», Dema e kishte lënë në shtëpi të Ademit.
Megjithëse ose kohe isha fëmijë 11-12 vjeç, mbaj mend gati tërë ngjarjen e Luftës së Botushës. Më kujtohen krismat e pushkëve, të mitralezëve e të mortajave, që ndiheshin qartë në fshatin tim. Tërë muaji tetor 1944, pat marrë me shi. Aty kah data 26 tetor pat rënë borë dhe i pat zënë arat pa korrë. Disa familje të fshatrave të Rekës së Gjakovës, për shkaqe sigurie, patën dalë në nahije të Pejës.
Më 16 nëntor 1944, ushtritë partizane komuniste i shpallën të lira nahijen e Gjakovës e atë të Pejës. Marrëveshja që u mbajt në Junik, në tetor 1944, ndërmjet udhëheqësisë komuniste dhe Shtabit të rrezistencës kombëtare, u mbajt parimisht dhe u rrespektua nga të dy palët.
Kulla e Junikut – simbol i qëndresës sonë Kombëtare.
Lufta dhe ‘çarja e rrethimit të Junikut’ , 16 tetor – 8 nëntor 1944, fillon një epokë e re për popullin shqiptar. Gjatë pushtetit komunist, shqiptarët me punën dhe mundin e tyre formuan shtetin e pavarur shqiptar, që e njofti gjithë bota. Por, Kosova martire, me pa të drejtë, mbet e pushtuar dhe e ndarë nga shteti amë – Shqipëria.
Mirëpo, edhe populli shqiptar i Kosovës gjatë sundimit komunist rrezistoi si më së miri. Popullata shqiptare punoi shumë dhe, në krahasim me gjendjen nën sundimin e MSKS (1918-1941) tash ishte shumë më mirë. Për fat të mirë shqiptarët në Kosovë u shkolluan dhe u vetëdijësuan në atë masë, sa udhëheqësia komuniste e Kosovës arritën ta udhëhiqnin shtetin e Jugosllavisë. Në vitin 1974 Kosova u bë krahinë autonome, nxorri Kushtetutën e vitit 1974 dhe u pranua pjesë shtetformuese e Federatës jugosllave. Rol të madh në Jugosllavinë komuniste dhe në zhvillimin e saj politiko-shoqëror kanë luajtur edhe shqiptarët, veçmas intelegjencia e Gjakovës me rrethinë.
Lufta e Junikut me rrethinë dhe ‘çarja e rrethimit të Junikut’, që u zhvillua më 16 tetor – 8 nëntor 1944, është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë shek. XX. Kjo ngjarje duhet të shtjellohet objektivisht e të trajtohet shkencarisht nga ekspertë të talentuar, që kanë karakter e burrëri; që kanë botëkuptime, bindje morale, interesa dhe ideale të qarta kombëtare e njerëzore. Përveç rrafshit historik kjo ngjarje do trajtuar edhe në aspektin social-psikik përmes një aparature të duhur shkencore./Kumti.com
Shkëputur nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës.