Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka konfirmuar se kanë kaluar në opozitë pas ikjes së Shpend Ahmetit nga partia. Ka thënë se partia duhet të forcohet si opozitë për të ardhur pastaj në pushtet.
“Duhet ta forcojmë Vetëvendosjen si opozitë që ta sjellim nesër në pushtet”, ka thënë Kurti, në një tubim me anëtarët e partisë në Prishtinë.
“Prishtina është kryeqyteti i Kosovës, këtu janë shumica e institucioneve qendrore, këtu jetojnë shumica e pushtetarëve abuziv, hajnat, kriminelët, ata që na vjedhin me supermarketet e mbushura përplot me importe të rrezikshme për shëndetin tonë personal por edhe për shëndetin e ekonomisë sonë kombëtare. Prandaj në Prishtinë edhe ushtrohet veprimtaria jonë politike”, ka shtuar ai;.
Lideri i VV’së ka thënë se punët e mira në Prishtinë janë kryer vetëm nga ata që i kanë qëndruar besnik partisë, duke përmendur emrat e Xhelal Sveqlës, Liburn Aliut, Fitore Pacollit etj.
Me këtë rast, ai ka treguar se kryetar i VV’së në Prishtinë është emëruar Arben Vitia, i cili aktualisht mban pozitën e Drejtorit të Shëndetësisë në Kryeqytet.
Shpend Ahmeti iku nga Vetëvendosje pas largimit edhe të Dardan Molliqajt e Visar Ymerit. Deri tash nga VV janë larguar 13 deputetë e dy kryetarë komunash.
Aktualisht, Vetëvendosje pas ndarjes është renditur e treta në Kuvendin e Kosovës dhe të njëjtin renditje është edhe në Komunën e Prishtinës.