Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë është mbledhur sot për herë të parë pa Shpend Ahmetin, i cili para disa javësh dha dorëheqje nga Vetëvendosja, nga partia me të cilën garoi në zgjedhjet e fundit lokale ku u rizgjodh edhe një herë kryetar i kryeqytetit.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka përshkruar koordinatorin e qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë, Arben Vitinë si një njeri të drejtë e jo mendjemadh.
“Arben Vitinë e kemi zgjedhur sepse është një njeri i drejtë. Nuk kemi dashtë ta zgjedhim një person që vuan nga mendjemadhësia. Kushdo që e njeh Arbenin brenda dhe jashtë Lëvizjes ka vetëm fjalë të mira”, tha Kurti.
Sipas Albin Kurtit, fitorja e Vetëvendosjes në Prishtinë nuk është respektuar, duke aluduar në zgjedhjen e drejtorëve nga Shpend Ahmeti.
“Fitorja jonë tani është në rrethana tjera, ajo nuk u respektua. Lëvizja përfaqësohet më pak dhe na bën të ndihemi të papërfaqësuar”, tha në mes tjerash Kurti.
Ai ka pasur fjalë të mira për drejtorët e Komunës së Prishtinës të cilët ende janë pjesë e partisë së tij.
“Këta emra kanë marrë vlerësime të mëdha dhe kanë qenë fytyra të suksesit në qeversjen e Vetëvendosjes. Të gjithë këta sapo garuan janë bërë deputetë. Xhelal Sveçla, Arbërie Nagavci, Salih Zyba, Saranda Bogujevci, Fitore Pacolli e Liburn Aliu”, tha në mes tjerash Kurti.
I pari i Vetëvendosjes ka përmendur edhe daljet nga Lëvizja Vetëvendosje, por sipas tij ardhjet në këtë parti kanë qenë më të mëdha.
“Brenda vitit 2018 ne do të dyfishojmë organizatën tonë në Prishtinë. Nga Lëvizja kanë dalë disa aktivistë, por edhe më shumë aktivistë kanë ardhur në Lëvizje “, tha tutje Kurti në tubimin me aktivistët e Vetëvendosjes në Prishtinë.
Kryetari i degës së Vetëvendosjes në Prishtinë, Ylli Hoxha kishte dhënë dorëheqje pak pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar.
Para disa ditësh Lëvizja Vetëvendosje kishte emëruar Arben Vitinë si koordinator të Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë.