Gazetari dhe autori i emisionit ‘Rubikon’, Adriatik Kelmendi, shkruan se ‘është super selektive dhe poshtruese metoda që ka zgjedhur Gjykata Speciale t’i trajtojë dyshimet e veta për krime të ndërlidhura me luftën’.
Ai përmend masakrat më të tmerrshme që kanë ndodhur në Kosovë, e për të cilat, askush nuk është dënuar.
Ja shkrimi i plotë i Kelmendit në Facebook:
Ende nuk ka asnjë, hiç asnjë, as të akuzuar as të dënuar për masakrën ndaj familjes Jashari, familjes Deliaj, as ndaj masakrës së Izbicës, Mejës, Krushës, Gjakovës, Pejës, Rezallës etj.
Të gjitha këto masakra janë kryer nën organizimin e strukturave të qarta hierarkike shtetërore të Serbisë. Nëse do të kishte një gjykatë, e cila do t’i ftonte të gjithë funksionarët serbë në strukturën shtetërore dhe ushtarake – siç po ndodh tash me ftesat për pjesëtarët e UÇK-së – atëherë sigurisht se do të gjendeshin edhe urdhërdhënësit dhe ekzekutorët.
Rreth 8 mijë civilë dhe 2500 shqiptarë të uniformuar janë vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ende nuk ka drejtësi për ta!
Është super selektive dhe poshtëruese metoda që ka zgjedhur Gjykata Speciale t’i trajtojë dyshimet e veta për krime të ndërlidhura me luftën.
Çdo krim duhet gjykuar, mirëpo edhe drejtësi duhet të ketë për të gjithë.