970×90
970×90
970×90
970×90

Ish-Komandanti i UÇK’së: Ne filluam luftën për liri, NATO e vulosi çlirimin

Ish-Komandanti i UÇK’së: Ne filluam luftën për liri, NATO e vulosi çlirimin

Bombat e NATO’s sollën lajmin për lirinë e Kosovës. Isha skeptik se forca më e madhe ushtarake do të ndërhynte në Kosovë. Pas kësaj, luftëtarët e UÇK’së morën urdhra t’i mbronin civilët, të cilët masakroheshin nga policia dhe ushtria serbe. Liria e Kosovës është projekt i përbashkët i UÇK’së dhe NATO’s. Populli i Kosovës ende nuk po mund të largohet nga mentaliteti i të robëruarit. Ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, flet për Express.
Njëri prej udhëheqësve të luftës, Rrustem Mustafa, ende i ka të freskëta kujtimet kur para 19 vitesh, kur bomba e parë e NATO’s ra mbi Serbi. Megjithëse kishte rezerva se organizata më e fuqishme ushtarake do të ndërhynte në Kosovë, Mustafa thotë se gjithçka u qartësua kur nisën bombardimet.

“Pas bombës së parë u vërteta se shumicën e botës e kemi në anën tonë. Dhe, secili prej nesh e kuptuam se liria po vjen”, ka thënë ish-Komandanti i Zonës Operative të Llapit.

Bomardimet 78 ditshe të NATO’s nisën më 24 mars të vitit 1999 pas dështimit të Kosovës dhe Serbisë që të arrinin zgjidhje politike. Në negociatat që ishin zhvilluar në Francë, përkatësisht në Ramboulle, pala serbe kishte refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes. Pas kësaj ishte hapur rruga e bombardimeve nga ana e NATO’s. Atëkohë, Sekretar Gjerneral i NATO’s ishte spanjolli Javier Solana.

Derisa NATO kishte nisur bombardimet, forcat e UÇK’së, sipas Komandantit Rrustem Mustafa, merreshin me mbrojtjen e popullatës civile. Kjo pasi punën e shkatërrimit të forcave ushtarake serbe po e kryenin bombat e aleatëve.

“Ne e dinim që Serbia e kishte humbur luftën në momentin e rënies së bombës së parë prandaj misioni jonë ishte ruajtja e ushtarëve të gjallë, njerëzve tanë si dhe informimi apo gjindsh mëria në teren që te jemi në shërbim të aviacionit të NATO-s po edhe përparimit tonë të mëtutjeshëm të forcave tona”, ka shtuar ai.

Në Kosovë ende ekziston një debat se kush është meritore për çlirimin e Kosovës: NATO apo UÇK’ja.

Ish-udhëheqësi i UÇK’së i shndërruar në politikan pasluftës thotë se luftën e nisën luftëtarët vendorë ndërsa lirinë e vulosi NATO.

“UÇK-ja me gjithë kapacitetin e tyre e ka bërë thirrje dinjitoze në mënyrë shumë të kulturuar të ardhjes së forcave të NATO-s. Por NATO-ja është ndihmesë e paimagjinueshme dhe që sjell lirinë e përshpejtuar që në atë kohë ne nuk e kemi paramendu. Por, liria vjen shumë më shpejt se ne ishim të përgatitur. Prandaj, liria e Kosovës është projekt i përbashkët i UÇK’së dhe i NATO’s”, ka shtuar ai.
“Të gjithë këto e kanë një pikë të përbashkët edhe politika e mëhershme paqësore është përgatitje e terrenit, ne ushtarët filluam luftën për liri, NATO-ja vulosi përfundimisht çlirimin e vendit”.

Gati dy dekada pas përfundimit të luftës, Shteti i Kosovës, ende përballet me probleme elementare të shtetndërtimit. Ende s’ka një shëndetësi të mirë, drejtësi të korruptuar e arsim jocilësor. Madje, Shteti i Kosovës nuk e ka ende ushtrinë dhe as kufijtë krejtësisht të definuar.

Pavarësisht këtyre problemeve, Remi thotë se Kosova ka shënuar përparime. Por, problematike e sheh vetëdijen e popullit që ende nuk po shkëputet nga mentaliteti i kohës së robërisë.

“I shoh zhvillimet gati normale, një punë ka qenë përpara ne nuk e kemi njoftë veten mjaft. Unë shoh popullin tonë që ka qenë i robëruar me shekuj dhe mentaliteti i tillë vështirë po shndërrohet në mentalitet të lirisë. Unë shoh perspektivë të kësaj mendësie që po transformohet shpejt dhe besoj që të gjithë duhet ti kënaqemi të arriturave të deritashme”, ka shtuar Remi.

Rrustem Mustafa, ishte Komandat i Zonës së Pestë Operative të Llapit. Kishte udhëhequr UÇK’në në atë zonë bashkë edhe me grupet tjera politike. Pasluftës është bërë deputet i Parlamentit të Kosovës me PDK’në. Është ballafaquar edhe me drejtësinë nën dyshimet për krime lufte. Mustafa është i vetmi udhëheqës i UÇK’së, që gjatë gjykimit, nuk i ka ikur asnjëherë përgjegjësisë. Madje, ka thënë gjatë proceseve gjyqësore se nëse një luftëtar gjatë luftës ka bërë gabime, e merr edhe ai përgjegjësinë.

Serbia gjatë luftës ka kryer gjenocid duke vrarë më shumë se 20 mijë persona dhe dëbuar afër 1 milion shqiptarë të Kosovës për në Shqipëri, Maqedoni e Mali të Zi.

Related posts