Kryeministri i Republikës së Kosovës, ish-komandant i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj në emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’ të Radio Dukagjinit ka sjell momente nga koha e fillimit të luftës së hapur në Dukagjin, më 24 mars 1998 ku cak i forcave serbe ishte familja emblematike Haradinaj.
Haradinaj, 24 marsin e ka ndërlidhur si datë të dyfishtë me atë edhe të sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe. Haradinaj thotë se Serbia e ka marrë përgjigjen me 24 mars ’98 dhe më 24 mars ’99, por kjo, sipas tij, nuk do të thotë, se me Serbinë sot nuk duhet mbyllur edhe kapitujt e fundit të hapur në paqe e fqinjësi.
“Kosova ka vendosur me qenë shtet sovran dhe i pavarur, si e këtillë Kosova i ka argumentet e veta, të drejtat e veta, ka popullin e vet, ka edhe miqtë kuptohet, por ka edhe kundërshtarët. Mirëpo, si projekt, Kosova do të ec përpara. Kemi ditë me ça rrethimin në përputhje me të drejtën tonë edhe kur ishte vështirë, ndaj dijmë edhe tash. Kuptohet jemi të interesuar të mbyllim edhe kapitujt e fundit me Serbinë, mirëpo me këtë nuk do të thotë që ne do të harrojmë të kaluarën dhe anën tragjike por asesi nuk do të mbesim edhe peng i saj. Pra ne do ecim përpara”,tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka folur edhe për lavdinë e luftës së UÇK-së dhe për mirënjohjen e përjetshme për NATO-në në krye me SHBA-të. Në këtë kuadër Haradinaj ka thënë se sot në ndërtesën e qeverisë e ngrisin Flamurin e NATO-s ndërsa qeveria do të bëjë nderime në Gllogjan.
“Historia jonë ka ditë të veçanta, ashtu siç është 5,6 dhe 7 marsi i Prekazit legjendar, edhe kjo datë e sotme është e veçant. Pra është lufta e hapur frontale në Dukagjin. Për fat epilogu i kësaj dite ndodhi i tillë që UÇK e fitoi këtë betejë. Po këtë ditë filloi edhe krijimi i zonës së lirë dhe UÇK e rriti besimin e popullatës, se duke u bërë UÇK mund ta ndihmosh çlirimin e vendit.
Por, lufta nuk ishte dhe nuk është e thjeshtë. Kishim familjet, kishim civilët, të plagosurit, mirëpo për fatin tonë të mirë, një vit më vonë, 24 Mars 1999 ishte NATO e udhëhequr nga Amerika që ndërhyri me sulme nga ajri. Sot në këtë kuadër në ndërtesën e Qeverisë e ngrisim flamurin e NATO-s dhe qeveria bën nderime në Gllogjan. Por mos të harrojmë se krejt këto ishin rezultat edhe i përpjekjeve të mëhershme ndër breza të popullit dhe kombit tonë që u sakrifikua”, thotë kryeministri Haradinaj.