Zyrtarët e policisë kufitare në Rumani kanë ndaluar shtatë shtetas kosovarë, të cilët u përpoqën të kalonin kufirin ilegalisht nga Serbia.
Në bazë të informacioneve që kishin marrë nga një shofer taksie, rojet kufitare nga Sektori i Policisë Kufitare Jimbolia, nisën një aksion për të luftuar migracionin e paligjshëm. Kështu policia ka gjetur tre taksi në të cilat ishin shtatë pasagjerë, shtetas të huaj.
Pas kontrollimit fillestar ishte konstatuar se personat në fjalë janë shtetas të Kosovës, të gjithë meshkuj të moshave ndërmjet 18 dhe 39 vjeç. Të dyshuarit nuk kishin dokumente të vlefshme të kalimit kufitar dhe kanë deklaruar se po përpiqeshin të kalonin ilegalisht nga Serbia për të shkuar në Zvicër, kanë raportuar mediat rumune.
Të dyshuarin për kalim kufitar të paligjshëm janë marrë nga autoritetet kufitare serbe në bazë të marrëveshjeve të ripranimit, në mënyrë që të vazhdojnë hetimet e mëtutjeshme.