Në sofrat e kosovarëve lehtësisht ka mundur të kalojë “mish i prishur”. Madje mund të ketë edhe nga ata që e kanë konsumuar këtë lloj mishi, që u eksportua nga kompania belge “VEVIBA”, e cila dyshohet të ketë manipuluar me përmbajtjen e mishit dhe etiketat.
Sasia e mishit që ka hyrë nga vendi që dyshohet se importoi mish të prishur, në Kosovë, në dy vitet e fundit nuk është e vogël.
Vetëm në 2 vitet e kaluar dhe në tremujorin e parë të këtij viti, në vend kanë hyrë më se 633 mijë e 150 kilogram mish të llojeve të ndryshme nga Belgjika.
E për tërë këta mish, qytetarët e vendit më të varfër në rajon kanë shpenzuar 467 mijë e 174 euro, shkruan Infokusi.com.
Krejt kjo sipas statistikave të Doganave të Kosovës, që ka siguruar Infokusi.
Në bazë të këtyre statistikave, viti kur nga ky vend u importuar më së shumti mish është 2016-ta.Më shumë se 276 mijë e 916 kilogram mish u importuan gjatë atij viti, në vlerë prej 244 mijë e 700 euro.
Ndërsa, ky mish u përket disa llojeve.
“Janë importuar mish gjedhi, pule, mish prej gjelave të detit, të tjera të brendshme nga pula e krahë të pulës”, ka thënë zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.
Ndryshe, shqetësimi për përdorimin e mishit nga kosovarët është aktualizuar së fundmi. Para pak ditësh u zbulua skandali me mish të prishur e të vjetër 12 vjet e që vinte nga Belgjika, për të cilët u vërtetua se ishte destinuar për kafshë, e që nuk përjashtohet mundësia që do t’u servohej njerëzve.