Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet ta prezantojë planin e tij për zgjidhjen e problemeve me Kosovën gjatë qershorit. Kjo është raportuar të premten nga e përditshmja Danas, duke cituar burime diplomatike perëndimore. Një zhvillim i tillë do të pasohet me shtimin e një amendamenti në kushtetutë nga fundi i këtij viti, apo fillimi i vitit të ardhshëm.
Preambula e Kushtetutës së Serbisë e trajton Kosovën si pjesë të saj, meqë Beogradi refuzon ta njohë pavarësinë e shpallur nga ajo në shkurt të vitit 2008. Pas krejt kësaj kohe, perëndimi kërkon jo vetëm normalizim të raporteve, por marrëveshje mes dy shteteve të cilën do të obligoheshin ta zbatojnë që të dyja, shkruan derstandard.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, do të takohen sërish në Bruksel të premten pasdite, si pjesë e dialogut për normalizimit të raporteve të mbështetur nga Bashkimi Europian.
Vitin e shkuar Vuçiq ka kërkuar debat për çështjen e Kosovës nga bashkëkombasit e tij, me arsyetimin që kjo të mos u lihet gjeneratave të ardhshme. Por pas qëndrimi njëjavor në New York, ai është ndarë e palumtur me rezultatin, ngaqë shpresonte që fuqitë perëndimore do t’i kuptonin më mirë, jo vetëm serbët e Kosovës, por edhe pozitën e Serbisë në këtë fushë.
Më herët ai ka theksuar se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me kompromis, pa specifikuar çfarë ka në mendje.