970×90
970×90
970×90
970×90

Lekaj i përgjigjet Hotit: S’do të kaloni lehtë nëse se ndërtoni Autostradën e Dukagjinit

Lekaj i përgjigjet Hotit: S’do të kaloni lehtë nëse se ndërtoni Autostradën e Dukagjinit


Ministri i Infrastrukturës në dorëheqje, Pal Lekaj i është përgjigjur Avdullah Hotit të LDK’së, i cili tha se Autostrada e Dukagjinit nuk do të jetësohet gjatë qeverisjes së tyre. Lekaj ka thënë se asnjë qeveri nuk është mbi shtetin. Deklaron se kushdo që do të tentojë të anashkalojë ndërtimin e kësaj autostrade, vetëm pse e ka mundësinë praktike të bëjë një gjë të tillë, nuk do të kalojë lehtë dhe heshtur.

Istogu, Peja, Deçani, Gjakova e Prizreni me gjasë nuk do të lidhen mes vete me autostradë. Rruga që i lidh këto qytete vetëm do të zgjerohet.

Ndonëse ndërtimi i saj ishte premtuar gjatë gjithë fushatës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partitë që synojnë të formojnë Qeverinë e re nuk e përkrahin një projekt të tillë.

Kandidati për deputet nga LDK’ja Avdullah Hoti deklaroi mbrëmë se projekti i Autostradës së Dukagjinit nuk do të jetësohet në qeverisjen e një koalicioni të mundshëm të LDK-së dhe VV-së.

“Është komplet i panevojshëm. Është një projekt që nuk do te realizohet nga qeveria e ardhshme, ne e kemi të qartë çfarë duhet të bëjmë, sa i përket atij projekti”, deklaroi Hoti.

Sipas tij, projekti për ndërtimin e kësaj autostrade është i gabuar dhe në vend të saj qytetarët e asaj ane do të përfitojnë nga zgjerimi i rrugëve aktuale.

“Nuk e kemi komoditetin e as s’është e nevojshme që të ndërtojmë autostradë në ato toka bujqësore. Çka do të bëjmë ne është se nga Istogu, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe deri në Prizren do të zgjerohet komplet rruga ekzistuese, do të bëhen rrugë me katër shirita, jo rrugë e izoluar, në magjistralen ekzistuese në mënyrë që mos të shpenzojmë qindra miliona në shpronësime të tokave dhe ai korridor nga Peja deri në Prizren, por në veçanti nga Gjakova deri në Prizren të jetë një korridor që zhvillohen komplet bizneset, një tip zonë ekonomike”, tha ish shefi i grupit parlamentar të LDK’së.

Ai premtoi se zgjerimi i rrugës ekzistuese do të kryhet brenda një mandati.

“Nuk besoj që ka ndonjë problem që mos të realizohet brenda një mandati qeverisës”, ka shtuar ai.

E këtyre deklarimeve të Hotit, iu është përgjigjur Ministri i Infrastrukturës në largim, Pal Lekaj.

Në një prononcim për Gazetën Express, Lekaj ka thënë se asnjë qeveri nuk është mbi shtetin dhe se ata do ta ngrisin zërin për këtë çështje.

“Ne e kemi thënë në vazhdimësi, punët në qeveri qysh do që të ndërrohen pushtetet, duhet të jenë në kontinuitet. Asnjë qeveri nuk është mbi shtetin dhe nuk duhet anashkaluar interesin e qytetarëve të vendit dhe ekonomisë së tyre.

Deklaron se kushdo që do të tentojë të anashkalojë mbi gjysmë milioni qytetarë dhe mbi 35 për qind të ekonomisë së vendit, vetëm pse e ka mundësinë praktike të bëjë një gjë të tillë, nuk do të kalojë lehtë dhe heshtur.

“Autostrada nuk bënë mos me ndodh, ose Avdullah Hoti dhe kushdo që tenton me anashkalu mbi gjysmë milioni qytetarë dhe mbi 35 për qind të ekonomisë së vendit, vetëm pse e ka mundësinë praktike të bëjë një gjë të tillë, nuk do të kalojë lehtë dhe heshtur, do të ngremë zërin dhe do të jemi në kërkim të materializimit të një drejte shumë legjitime”, ka thënë Lekaj për Express.

Ndërkohë, Autostrada e Dukagjinit figuron në listën e temave për të cilat do të angazhohet AAK’ja, listë kjo që u publikua nga Ramush Haradinaj.

Kundër ndërtimit të kësaj autostrade, ishin deklaruar të gjitha partitë përfshirë edhe Partinë Socialdemokrate, e cila kishte ndërruar qëndrim pas krijimit të koalicionit parazgjedhor me AAK’në.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i kishte thënë Gazetës Express se shpenzimi i miliardave të buxhetit vetëm në asfalt është gabim fatal.

Abdixhiku kishte thënë se duke investuar në asfalt po mbeten anash shëndetësia, arsimi e gjyqësori.

“Nëse një mësim Kosova duhet ta ketë nxjerrë në 10 vitet e fundit, atëherë i njëjti është se shpenzimi i miliardave te buxhetit ne asfalt – dhe asgjë tjetër – është gabim fatal. Me projekte të tilla, me kosto dy tre fish në të lartë se në Evropë, me shterrje të buxhetit për shume vite, Kosova ka lenë në gjendje kolapsi shëndetësinë, arsimin dhe gjyqësinë – tri fushat prioritare të qytetareve tanë”, kishte thënë ai.

Sipas tij, qytetarët e vendit kanë nevoja të tjera dhe se një miliardëshi i adresuar për autostradë do t’iu jepte zgjidhje shumë prej këtyre problemeve.

“Konsideroj se vendi ynë – përfshirë dhe banorët e Dukagjinit – kanë nevoja krejt tjera. Ato natyrshëm janë të lidhura me vendet e punës, me përkujdesin më të mirë shëndetësor, me edukim me cilësor e me shtet të së drejtës. Një miliardëshi i adresuar për autostradë do t’u jepte zgjidhje shumë prej këtyre problemeve”, kishte thënë Abdixhiku për Express.

Përveç partive opozitare, kundër kësaj autostrade ishin deklaruar edhe zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, parti këto që ishin pjesë e Qeverisë Haradinaj.

Ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, kishte thënë se ideja e ndërtimit të autostradës, e cila po proklamohet, është e gabuar.

Sipas tij duhet të jetë një autostradë e tipit të hapur, pasi që siç kishte thënë shumë biznese që janë në atë rrugë dhe me lëvizjen e trasesë shumë prej tyre do të falimentojnë.

“Ky është projekt që kushton mbi 1 miliard euro dhe si i tillë duhet të analizohet. Edhe me u rreziku Qeveria nuk bëhet nami, me rëndësi është të shpëtohet shteti. Ne duhet të mendojmë për qytetarët. Kemi prioritete të tjera për të cilat mendoj që edhe kryeministri edhe të gjithë e dinë”, ka thënë Berisha.

Edhe ish-Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, që vjen nga radhët e PDK-së, kishte deklaruar se ndërtimi i autostradës në fjalë nuk është i nevojshëm për vendin, pasi që sipas tij, ka tema shumë më të rëndësishme për investim sesa rrugët.

“Mendoj që duhet me pa përtej këtyre problemeve, përtej asfaltit. Me trajtu çështjet qysh është arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit që janë tepër të rëndësishme për kualitetin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Deklarimeve të partnerëve të koalicionit u ishte përgjigjur në atë kohë edhe i pari i Qeverisë.

Haradinaj kishte thënë se kjo autostradë është në interes të të gjithë Kosovës, e jo vetëm të Dukagjinit.

“Ai (Zafiri) ka të drejtë kur thotë se rruga ekzistruese duhet me u zgjeru. Por, një rrugë ekzistuese nuk e ka funksionin e një rruge të zgjeruar, pra funksionin e autorrugës. Janë funksione të ndara, pra dallojnë. Nëse bëhet tani autorruga, mbetet traseja, sepse trasetë mbetën edhe për 50 ose 100 vjet”, ka thënë Haradinaj.

I pari i Qeverisë kishte thënë se autostrada ka vlerë tjetër dhe se ndërtimi i saj është në interes të Kosovës.

“Për mu autostrada është jetike për atë zonë. Janë qindra mijëra banorë, pra është e popullume shumë ajo zonë, nëse e merr prej Peja, Deçan, Gjakovë, Rahovec e deri atje. Autostrada është interes i Kosovës, jo i Dukagjinit”, kishte thënë Haradinaj në konferencën për media.

Related posts