Kandidatja për kryeministre nga rradhët e LDK-së, Vjosa Osmani është takuar sot me ambasadorin e ri të Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott.
Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se në takim ishin prezent edhe anëtarët e kryesisë, Besian Mustafa dhe Lumir Abdixhiku.
“Osmani e njoftoi Abbott për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës, dhe prioritetet e qeverisë së ardhshme, për rendin dhe ligjin, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në komunikatë.
Njëkohësisht Osmani falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për programet përkrahëse në Kosovë dhe kërkoi vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në të ardhmen.
Ambasadori Abbott shprehu interesimin e Mbretërisë së Bashkuar për përkrahjen e proceseve të Kosovës.