970×90
970×90
970×90
970×90

Lubonja: Albin Kurti është shpresa e fundit e shqiptarëve në të dy vendet

Lubonja: Albin Kurti është shpresa e fundit e shqiptarëve në të dy vendet


Analisti Fatos Lubonja komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, vizitën e Albin Kurtit në Tiranë dhe takimet e këtij të fundit me politikanët shqiptarë dhe gazetarët. Në një prej takimeve të Kurtit ishte i pranishëm edhe vetë Lubonja, i cili tha se në tryezë është folur për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, vetëm sa i takon rolit që ai ka në këtë sistem, ku “një grusht të pasurish sundojnë me politikën dhe kanë bërë një shtet armik me qytetarët”.

Duke e cilësuar Albin Kurtin si “shpresën e fundit për shqiptarët e të dy vendeve, Shqipëri e Kosovë”, Lubonja tha se ai ka marrë mbi supe sfida të mëdha për të çliruar shtetin nga ky grusht pasanikësh.

Vizita e Albin Kurtit në Shqipëri, ku ishit edhe ju. Çfarë u diskutua, u fol për Ramën?
Te ne është një parim që e ka korruptuar shumë media në përgjithësi, sidomos portalet për klikime. Ka më shumë rëndësi klikimi se lajmi dhe brendësia e lajmit. Kurti është politika i njohur prej kohësh. Ka ardhur në Shqipëri, ka takuar politikanë majtas e djathtas, edhe gazetarë, do të informohet.

Sa u fol për kryeministrin?

Ajo që u fol dhe për kryeministrin është se këtu nuk është çështje kryeministri. Kurti ka disa sfida të rëndësishme, u fol për sfidat që ai ka. Ky sistem që kemi ngritur, ku një grusht të pasurish sundojnë me politikën dhe kanë bërë një shtet armik me qytetarët. Kryeministri ynë është pjesë dhe ndërtues i këtij sistemi. Kurti dëgjon, flet, ka marrë një angazhim dhe kjo sfidë është shumë komplekse dhe u fol për të, pra për të çliruar shtetin nga këta, ku hyn dhe roli i Ramës. Kaq.

Sa i ndërgjegjshëm ishte Kurti, për rolin që ka?

Sa i ndërgjegjshëm është ai, është parë që në fushatë. Për luftën ndaj sistemit besoj se është i ndërgjegjshëm, por se sa i zoti do të jetë me këtë qëllim që i ka vënë vetes, këtë do ta tregojë koha. Sikur ai të japë një shembull tjetër qeverisjeje, që e duan aq shumë shqiptarët, që të jetë shteti që të mbron, jo të fyen, që të jep, jo të grabit, do përhapet me shpejtësi edhe në Shqipëri ai shembull. Nuk besoj se është nga ata politikanë, siç kanë dalë këto tanët, që i thotë këto fjalë për të kapur sistemin. Që do ta luftojë sistemin kam besim, se sa do e luftojë e mposhtë sistemin kjo mbetet për t’u parë.

Lidhur me deklaratën e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se nuk e ka problem të përballet me Edi Ramën në zgjedhje, Lubonja u shpreh: “Kam nevojë për një hallkë lidhëse mes deklaratave të mëparshme, që me Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira, dhe këtë deklaratë. Është e ndershme të thuash që ndërrova mendim, apo që kam pas presione nga ndërkombëtarët. Duhet kjo. Një mendim tjetër që të vjen është se me zgjedhjet lokale ndoshta këta kanë krijuar një lloj besimi se mund të fitojmë, ndaj më mirë të hyjmë”.

Ndërsa, më tej theksoi se nuk kishte dijeni për vizitën e Presidentit Ilir Meta në Selinë e NATO, ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

“Nuk kam një dijeni të madhe për këtë vizitë, nga konferenca e mora vesh. Janë pak a shumë gjëra rutinë. S’ka nevojë që ta militarizojmë terrenin tonë kaq shumë me baza, ne vend i vogël jemi. Ne të sigurt jemi, mjafton që jemi në NATO”, tha Lubonja.

Related posts