
Familjarët e Astrit Deharit sot kanë bërë të ditur se në raportin e ekspertizës zvicerane thuhet se Astrit Dehari është vrarë
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas konstatimit se Astriti është vrarë në qelinë e burgut në Prizren.
Ajo ka shkruar në Facebook se duhet të bëhet hetim i menjëhershëm dhe sjellje para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë të bëjnë me vrasjen e Astritit.
“Prej policisë, deri te prokurori dhe jo vetëm, u ngutën duke thënë që Astriti kishte bërë vetëvrasje! Dy raporte kredibile, vërtetuan që Astriti u vra! Hetim të menjëhershëm dhe sjellje para drejtësisë të gjithë atyre që kanë dorë në vrasjen e Astritit”, ka shkruar Haxhiu.
Pas marrjes së raportit nga Instituti zviceran, ka folur babai i Astrit Deharit. Avni Dehari ka thënë se e kanë marrë raportin në dy kopje, dhe sipas konkluzioneve ka dalë se Astrit Dehari është vrarë.
Tutje ai ka kërkuar që të hapen hetimet për rastin e ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren para 3 vjetëve.
“Tash sa dolëm nga prokuroria ku ishin të pranishëm kryeprokurori dhe Metush Biraj. Raportin na e kanë dhënë në dy kopje, në dy gjuhë dhe të përkthyer. Sipas konkluzioneve, bëhet fjalë për vrasje e jo për vetëvrasje. Sipas ekspertizës, bëhet fjalë për vrasje dhe duhet të hapen hetimet për vrasjen”, ka thënë ai.