
Albulena Haxhiu, që është pjesë e grupit punues të Lëvizjes Vetëvendosje për harmonizimin e programit qeverisës me LDK-në, ka folur rreth numrit të ministrive që pritet t’i ketë qeveria Kurti.
“Nuk do të jenë 21 ministri me qeverisjen Kurti, pra si numër është përmendur numri 12, por assesi nuk mund të bëhen më shumë se 15. Këtë po e them për faktin, sepse në fushatën zgjedhore edhe Albin Kurti, por edhe Vjosa Osmani, kanë nënshkruar një marrëveshje zotime dhe kanë bërë disa zotime dhe aty ka qenë përveç tjerash edhe një zotim që qeverisja e ardhshme të mos t’i ketë më shumë se 15 ministri”.
“Pra, synimi është t’i kemi 12, por assesi nuk do të jenë më shumë se 15 ministri. Ne po punojmë që t’i kemi 12. Kjo do të jetë pak e vështirë, sepse kemi shumë agjencione, të cilat duhet fuzionohen, dhe janë shumë ministri që do të fuzionohen në këto 12 ministri”.
Ajo në një intervistë për KosovaPress ka hedhur poshtë pohimet se Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK kanë ndarë tashmë ministritë që do t’i drejtojnë në qeverinë e ardhshme, por ka shtuar se secila prej këtyre ministrive do të jetë e obliguar të jetë llogaridhënëse dhe në koordinimin me kryeministrin në ardhje, Albin Kurti.
“Sa i përket emrave të përveçëm apo cilat ministri do t’u ndahen subjekteve politike tani për tani dihen vetëm emri i kandidatit për kryeministër që ka marrë mbështetjen nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe është diçka e padiskutueshme tani. Por, nuk është që kemi diskutuar se cilat janë ministritë, të cilat do t’i drejtojë Vetëvendosje, apo në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës”.