Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni që u miratua javën e kaluar pas shumë incidenteve në Kuvend akoma ka mbetur pa hyrë në fuqi.
E gjithë kjo bllokadë vjen pasi presidenti i vendit, Gjorge Ivanov edhe më tej refuzon që ta nënshkruaj dekretin për shpalljen e tij në Gazetën Zyrtare.
Nga ana tjetër në këtë proces presion po bën edhe opozitarja VMRO-DPMNE e cila kërcënon kreun e gazetës zyrtare që nëse e publikon ligjin pa firmën Presidentit do të përgjigjet penalisht, transmeton Indeksonline.
“Drejtori i Gazetës Zyrtare nuk mund të lejojë të shpallet ky ligj. Kushtetuta duhet të respektohet. Pa nënshkrimin e dekretit nga ana e Presidentit të RM-së nuk ka ligj, ndërsa nëse dikush tenton që ta shkelë Kushtetutën, do të mbajë përgjegjësi penale” tha në një konferencë për media Orca Georgievski nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë Talat Xhaferi kalkulon por nuk bën të ditur se a ka hapësira ligjore për shpalljen eventuale të Ligjit në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e Presidentit.