Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është një hap pozitiv i arritur sa i përket dhënies fund të izolimit të qytetarëve.
Në një konferencë të thirrur për media, Ministrja Hoxha ka deklaruar se pasi tashmë demarkacioni është miratuar, Kosovës i mbetët që me përkushtim të kryejë edhe një detyrë tjetër të saj.
”Dje Kuvendi plotësoi kriterin kyç të mbetur, ratifikimin e demarkacionit”.
”Duhet të jemi të pakompromis në luftën ndaj korrupsionit, për t’i sjellë qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave”, është shprehur ajo.
Megjithatë ajo ka shprehur optimizëm që brenda këtij vitit, kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm për në vendet e BE-se ndërsa potencoi se procedurat do të mund të marrin kohë deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në praktikat e vendeve të tjera.
”Dua të ndajë disa informata sa i përket plotësimit të kriterit të luftimit të korrupsionit”.
”Në kuadër të ekipit kundër krimit, prokuroria speciale ka shenjzuar 39 raste, janë ngritë 30 aktakuza, 7 raste janë përmbyllë”.
”Për qëllime të liberalizimit, kriteri kundër luftës e korrupsionit ka shënuar progres po presim vlerësim final nga institucionet e BE”.
”Kosova do të dorëzoj raportin e plotësimit e kësaj marrëveshje dhe raportin për korrupsionin”.
”Gjatë këtij viti do ti përfundojmë procedurat e BE për të siguruar plotësimin e rregullores së BE-së dhe rrjedhimisht lëvizjen e lirë”.
Ky synim sipas Ministres Hoxha, nënkupton: Fillimin e negociatave për plotësimin e rregullores mes tri institucioneve komisionit, parlamentit dhe këshillit, Dërgimi në Këshillin e Ministrave, Miratimi nga Këshilli i Ministrave, Ceremonia e Këshillit dhe në fund publikimi në gazetën zyrtare dhe hyrja në fuqi.
”Këto procedura marrin më shumë se gjashtë muaj. Presim të zgjatë 6 muaj duke u bazuar në praktika të vendeve të tjera që kanë kryer këto procedura”.
Hoxha theksoi se kjo procedurë kryhet nga institucionet e Bashkimit Europian.