Trupit të Erona Bajramit, 16-vjeçares që vdiq të hënën në Recak pasi u largua nga shkolla i është bërë autopsia. Rezultatet tregojnë se ajo ka rënë nga objekti i një ndërtesë.
Por, nuk dihet nëse ka kërcyer vetë a po e hedhur dikush. Komandanti i Policisë në Ferizaj Basri Shabani ka thënë se hetimet për rastin do të vazhdojnë. Por, ky rast tragjik po bëhet më i komplikuar. Gazeta Express ka siguruar një të dhënë interesante që lidhet me vdekjen e vajzës. Kur drejtoria e shkollës e ka thirrë në telefon, është lajmëruar një grua e cila e ndërprerë menjëherë thirrjen.
U gjet e vdekur pranë një objekti privat të një ndërtesë në komunën e Shtimes. Erona Bajrami, 16-vjecare nga fshati Reçak i kësaj komunë në mbrëmjen e 19 marsit mendohet se ra nga kati i një ndërtese në qytetin e Shtimes. Policia për këtë rast po i vazhdon hetimet. Ndërkaq raporti i autopsisë tregon se e mitura ra nga kati i një ndërtese.
Ditën e hënë rreth orës 19:00, Erona Bajrami, 16 vjeçe, u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore pranë një objekti banesor i cili ishte në ndërtim e sipër në rrethinë të Shtimes. Trupin e Eronës në skajin e ndërtesës e gjeti një punonjës i sigurimit në atë zonë. Punonjësi, Rizah Islami, si i vetmi dëshmitar i kësaj ngjarje thotë se menjëherë e kishte lajmëruar policinë. Kjo e fundit bashkë me ekipet e emergjencës e kishin dërguar ende me puls, Eronën në qendrën e mjekësisë në Ferizaj.
Por, 16-vjeçarja, nuk mundi t’i mbijetojë rënies. Ajo ndërroi jetë në spitalin e Ferizajt.
Në bazë të rezultateve, konstatohet, se e reja nga Reçaku i Shtimes kishte rënë nga kati i ndërtesës. Si pasojë e rënies asaj i janë shkaktuar dëmtime të rënda trupore.
Kështu i ka thënë Express, komandanti i policisë në rajonin e Ferizajt, Basri Shabani.
“Autopsia e vërteton se vajza ka rënë nga lartësia si dhe dëmtimet në trupin e pajetë të saj janë shkaktuar nga hedhja. Për rrethanat se si ka rënë nuk tregohen. Hetuesit janë ende në fazën e grumbullimit të informatave për këtë çështje që të zbulohet shkaku i vdekjes se si ka ardhë deri këtu. Bazuar në të dhënat për dëmtimet në trupin e pajetë dëshmohet se ajo ka rënë nga lartësia”, ka thënë Shabani.
Tutje ai ka shpjeguar se raporti i autopsisë flet për lëndimet në këmbë, pjesën e poshtme të trupit si dhe gjakderdhje të brendshme.
“Vajza ka pasur dëmtime në këmbë, pjesën e poshtme të trupit. Dëmtime po ashtu konstatohet se ka pasur dëmtime të brendshme të mushkërive”, ka deklaruar komandanti i policisë së Ferizajt.
Ndërkohë që Shabani ka shpjeguar se nuk dihen motivet se përse e reja nga Reçaku ka rënë nga ndërtesa. Për këtë punë ai shpjegon se hetimet po vazhdojnë.
Por vdekja e kësaj vajzë po vazhdon të mbetet misterioze. Gazeta Express pasditen e së martës ka qëndruar në shtëpinë e viktimës. Babi i saj thotë se nuk i di arsyet e vdekjes së vajzës.
Një detaj të cilin e ka zbuluar express, në ditën kritike zyrtarë nga drejtoria e Shkollës së mesme ‘Naim Frashëri, rreth orës 19:00 të mbrëmjes së 19 marsit e kanë thirrur në telefon viktimën. Por në numrin e saj është lajmëruar një zë zonje, e cila nuk kishte qenë e ndjera dhe menjëherë ia ka ndërprerë komunikmin drejtorisë së shkollës.
“Bazuar në shënimet e zv. Drejtoreshës, nxënësja del të jetë larguar nga shkolla në ora 3 për të bërë një telefonatë dhe më nuk është kthyer në klasë….. Zv.drejtoresha e ka thirrë nr të telefonit…., në të cilën, sipas shënimeve, është lajmëruar një grua (rreth orës 19:00), e cila e ka ndërprerë komunikimin. (telefonata është bërë nga fiksi i shkollës…)”, thuhet në dokumentin e shkollës ‘Naim Frashëri’ të Shtimes të cilin e ka siguruar Express.
Megjithëkëtë, dëshmitari i cili e kishte gjetur Eronën, roja i objektit banesor, Rizah Islami, ka thënë se vajzën e ka gjetur të shtrirë dhe me shenja jete në oborrin e objektit rreth orës 19:30 të mbrëmjes që lamë pas. Ai e thotë një detaj tjetër, shpjegon se pantallonat e së ndjerës kishin qenë të shqyer në pjesën e poshtme të trupit.
“Unë kam qenë në barakë. E pashë një dritë në banesë lart. Kur jom dalë unë drita është nal. Tu qëndru te barakat e kam ndi një krismë. Kur dola e pashë atë femrën në qosh të banesës. Kur dola e pashë që dëneste. Me prek nuk e kam prekë, e kam thirrë policinë. Pastaj ka ardhë ndihma e shpejtë dhe e ka marrë. Vajza sa kam pa unë nuk ka pas gjakë në fytyrë, ka pas shkumë në gojë. Vajzën e kanë marrë e kanë vendos në ambulancë, e kam pa se ajo cika i kish pas farmerkat e shqyera. Policia e kanë shiku krejt objektin. Nuk kanë gjetë asgjë hiç”, ka thënë roja i objektit ku u gjet tashmë e ndjera Erona Bajrami.
Për këtë punë, organet e hetuesisë në vend po i vazhdojnë hetimet.