Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, pas marrjes së mandatit të dytë si raportuese e vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian, ka thënë se do të bëjë çmos që kosovarët të lëvizin sa më shpejtë pa viza në Zonën Schengen.
Fajon në një intervistë për Gazetën Express nuk ka pranuar që të japë ndonjë datë se kur mund të ndodh heqja e vizave, megjithatë ka treguar përpjekjet që po bënë për kthimin e çështjes së liberalizimit të vizave në agjendat e institucioneve relevante të bashkimit Evropian. Ajo në fund ka bërë thirrje edhe për institucionet e Kosovës që të punojnë ngushtë me institucionet e BE’së dhe të mos bëjnë hapa mbrapa nga progresi i bërë vitin e kaluar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Të martën e kaluar, Parlamenti Evropian, ka përzgjedhur edhe për një mandat euroeputeten sllovene, Tanja Fajon, që të negocioj me qeveritë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, Tanja Fajon, thotë se është shumë e lumtur që Komiteti LIBE i ka rikonfirmuar edhe për një mandat detyrën e negociaotres për çështjen e vizave.
“ Jam e lumtur që Komiteti LIBE rikonfirmoi mandatin tim negociues për bisedime me qeveritë e BE’së në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën të martën e kaluar. Një gjë e tillë ishte e nevojshme pas zgjedhjeve dhe përbërjes së re të Parlamentit. Siç e mbani në mend, Parlamenti Evropian ka dhënë dritën e gjelbër në prill”, ka thënë Fajon.
E pyetur nga Gazeta Express se cila do të jetë puna e parë që do ta bëjë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Fajon thotë se do të bëj çmos që kosovarët të lëvizin pa viza sa më parë që të jetë e mundur.
“Unë do të mbetem në detyrën e raportueses dhe do të vazhdojë të bëj çmos në mënyrë që qytetarët kosovarë të udhëtojnë pa viza sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë eurodeputetja sllovene.
Fajon në këtë intervistë ka thënë se autoritetet kosovare duhet të vazhdojnë që të implementojnë të gjithë obligimet e nevojshme për heqjen e regjimit të vizave.
“Ndërkohë, autoritetet përgjegjëse të Kosovës duhet të vazhdojnë me zbatimin e të gjitha kërkesave të nevojshme për heqjen e vizave. Duhet të punojmë ngushtë se bashku. Unë pres nga Presidenca e Finlandës në Bashkimin Evropian dhe Këshilli Evropian i porsazgjedhur të kthejnë rastin e Kosovës në agjendë”, ka potencuar Fajon për Gazetën Express.
E pyetur rreth deklaratës së deputetit gjerman, Peter Beyer, dhe rreth mundësisë që Kosova të marrë liberalizimin e vizave si dhuratë për Krishtlindje, Fajon ka thënë se nuk mund të jap ndonjë datë momentalisht.
“Nuk do të dëshiroja që të spekulojë me ndonjë datë momentalisht, por shpresoj që do të ndodh shumë shpejtë. Së pari Këshilli ka dhënë dritën e gjelbër, Rregullorja mund të adoptohet shumë shpejtë. Topi tashmë është në dorën e qeverive”, ka shtuar tutje raportuesja për Kosovën, Tanja Fajon.
Në këtë intervistë Fajon ka treguar edhe për një takim që ka pasur në Bruksel gjatë kësaj jave me ministren e Punëve të Brendshme të Finlandës, të cilës thotë se ia ka përsëritur faktin që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, dhe gjithashtu i ka bërë thirrje që ta kthejë në tavolinën e diskutimeve çështjen e vizave për Kosovën.
“Kam takuar ministren e Brendshme të Finlandës këtë javë në Bruksel. Kemi pasur një diskutim shumë të drejtpërdrejtë dhe të sinqerisht. Mes tjerash, unë i kam përsëritur që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, që BE’ja ka premtuar se do t’ua jap (liberalizimin), dhe që Këshilli vazhdon ende të refuzojë të veprojë. Unë i bëra thirrje asaj që të vendos përsëri në tavolinë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën”, është shprehur Fajon.
Në fund Fajon bën thirrje tek institucionet e Republikës së Kosovës që të mos bëjnë hapa mbrapa dhe që të ruajnë progresin e bërë viteve të fundit në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“ Në vlerësimin përfundimtar të Komisionit, Kosova ka arritur përparim të mjaftueshëm në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përmbushur kështu të gjitha kushtet e nevojshme në rrugën drejt Liberalizimit të Vizave. Sidoqoftë, është vitale që Kosova të vazhdojë me përmbushjen e të gjitha kritereve dhe të mos bëjë hapa mbrapa në progresin e mirë që është bërë viteve të fundit. I bëj thirrje Kosovës që të vazhdojë të punojë afër me të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian dhe të angazhohet në mënyrë aktive në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka përfunduar eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon.
Ditë më parë Gazeta Express nga burime zyrtare brenda Bashkimit Evropian ka marrë vesh se çështja e liberalizimit të vizave nuk pritet që të jetë në axhendë në takimet e ardhshme të grupeve përgatitore për çështjen e vizave.
Megjithatë deputeti i Bundestagut gjerman, Peter Beyer, gjatë vizitës së fundit në Kosovë, kishte thënë se mbase çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë një dhuratë e Krishtlindjeve për Kosovën.