970×90
970×90
970×90
970×90

Veseli: Qeveria ime do të përbëhet nga vajza e djem të rinj, profesionistë dhe pa aktakuza

Veseli: Qeveria ime do të përbëhet nga vajza e djem të rinj, profesionistë dhe pa aktakuza


Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, njëherit kandidat i kësaj partie për kryeministër, ka thënë se qeveria e re nën udhëheqjen e tij do të ketë pjesë përbërëse njerëz pa aktakuza dhe të rinj profesionistë.


“Qeveria që do të udhëheqë unë do të jetë një Qeveri me Ministra të rinj që do të punojnë për qytetarët. Do të jetë Qeveria me më shumti të rinj ndonjëherë. Unë dhe PDK besojmë tek të rinjtë dhe u japim hapësirën e merituar, për dallim nga partitë tjera që i largojnë ata. Do të jetë qeveri me ministra pa aktakuza për korrupsion e nepotizëm. Një Qeveri që do të jetë e vogël në numër, por shumë efikase dhe përfshirëse në punë. Një Qeveri që nuk do të abuzojë me taksat e qytetarëve, por do t’i mbrojë ato”, ka deklaruar Veseli.

Ai thotë se PDK është partia e vetme që ka edhe vullnetin, edhe guximin për t’i ndrequr gabimet.

“Ne kemi një plan si ta luftojmë korrupsionin, si t’i mbajmë të rinjtë tanë këtu, si ta ndërtojmë një të ardhme”, ka pohuar ai.

Veseli ka shtuar më tej se Qeveria që do ta udhëheqë ai do të jetë lehtësuese për bizneset ekzistuese dhe duke i ndihmuar ato të rejat me një plan strategjik, të saktë dhe konkret, në përputhje me nevojat e qytetarëve, kërkesat e tregut dhe drejtimin zhvillues ekonomik.

“Kjo Qeveri do ta ndërtojë të sotmen më të mirë dhe një të ardhme të sigurt. Do ta forcojmë bashkëpunimin me SHBA-të, BE dhe demokracitë e lira, duke sjell investitorë të jashtëm, duke rritur konkurrencën dhe duke liruar shpirtin kreativ të rinisë”, ka deklaruar Veseli për Kosovapress.

Ai ka thënë më tej se para vendit qëndron një moment kthese historike, dhe sipas tij në të tilla momente, ajo që del në pah gjithmonë është PDK-ja, e cila shton se e ka guximin dhe ekipin më të përgatitur për ta realizuar vizionin e qytetarëve tanë.

I pyetur rreth thumbimeve që ia bëri kundërshtarëve politik në Konventën festive ku u nominuz zyrtarisht si kryeministër, Veseli tha se në dy dekada liri, dhe një dekadë pavarësi, PDK ka udhëhequr proceset vendimtare për Kosovën, kurse të tjerët, ose janë ankuar, ose vetëm kanë shikuar dhe janë munduar të gjykojnë.

“Por, kanë bërë pak ose aspak. Ka pasur edhe të tillë që janë përpjekur ta mohojnë dhe shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar tash e 20 vjet liri. Edhe sot, ata nuk janë të zotët që t’u dalin ballë sfidave të shtetit. Ose ju mungon guximi, ose zgjedhin rrugën e gabuar. Kosovën nuk mund ta udhëheqë dikush që hyn në borxh para liderit dhe partisë, më shumë sesa para qytetarëve dhe Kosovës. Jo ata që s’kanë guxim të marrin vendime. Kryeministri i Kosovës duhet t’i përgjigjet vetëm popullit të Kosovës dhe nevojave te qytetarëve. Nuk mund të ndërtohet e ardhmja për shtetin e Kosovës nga ata që dyshojnë në të, që e mohojnë identitetin e shtetit të Kosovës, nga ata qe s’kanë zemër ta çojnë lart flamurin e Kosovës. Nuk mund të ndërtohet një e ardhme këtu nga ata që vënë në dilemë dhe cenojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Nuk mund të ndërtohet një e ardhme këtu nga ata që nuk kanë vullnet dhe guxim për ta luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe abuzimet me pushtetin”, ka deklaruar Veseli.

Ai më tej thotë se garës për Kryeministër i ka hyrë me një qëllim të qartë dhe se Kosova nuk guxon të kthehet pas.

“Kosova nuk guxon të ndalet. Kosova nuk guxon të qëndrojë e izoluar. Kosova duhet të ecë përpara. 6 tetori është shans që nuk guxon të humbet. Unë e di se shumë qytetarë janë zhgënjyer nga politika dhe sot nuk besojnë në të. Unë e di arsyen. Dhe, e di përgjigjen. Na duhet përfundimisht një kod etik në politikë. Na duhet më shumë nder, besim dhe guxim. Dhe i siguroj të gjithë qytetarët se me një politikë të mirë, të gjitha sfidat kalohen, të gjitha problemet zgjidhen dhe ëndrrat e rinisë bëhen realitet. Kam luftuar dhe do të luftoj me gjithë shpirt, bashkë me gjithë qytetarët për ta zhvilluar vendin tonë. Unë nuk i kam gënjyer asnjëherë qytetarët e vendit tim, edhe pse ndoshta s’kam ditur ta them gjithnjë si duhet të vërtetën. Unë kam hyrë në luftë për Kosovën. Sot jam në politikë për Kosovën dhe vetëm për Kosovën. I përgjigjem vetëm qytetarëve, kombit tim dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nuk do të ndalem deri në fund në luftën time për një Kosovë perëndimore, të zhvilluar, pa korrupsion, me ekonomi të fuqishme dhe anëtare e barabartë e familjes evropiane. Prandaj, për të mirën e Kosovës, për të mirën e fëmijëve, grave dhe burrave, të rinjve dhe të moshuarve, i thërras të gjithë qytetarët që të bëhemi bashkë dhe ta ndërtojmë të ardhmen”, ka deklaruar ai. 

Related posts