Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti së bashku me deputetin Xhelal Sveçla, morën pjesë sot ( e diele), në tubimin që u mbajt në lokalet e shkollës fillore “Migjeni” në Stanoc të Epërm të Vushtrrisë.
Kurti në një postim në profilin e vet në “Facebook”, ka shkruar se në këtë fshat, dikur bastion i PDK-së, ditëve të fundit ka arritur mbi njëqind numri i të anëtarësuarve të rinj në Lëvizjen Vetëvendosje, ku vetëm sot u anëtarësuan 75 banorë të këtij fshati në këtë parti. “Nënkryetari i komunës, Besim Muzaqi, koordinatori i Qendrës sonë, Ali Jonuzi, asamblisti e profesori Ymer Haradinaj dhe unë, iu drejtuam të pranishmëve dhe bashkëbiseduam me ta për situatën politike në Kosovë dhe zgjerimin organizativ të Vetëvendosjes. Strukturat tona po e rrisin anëtarësinë gjë që po e dinamizon Lëvizjen”, ka shkruar Kurti.