Rinia Demokratike e Kosovës Dega në Deçan, ka hapur të dielën zgjedhjet e brendshme brenda partisë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh edhe kryetare e Degës së PDK-së në Deçan, Safete Hadergjonaj, ka thënë se motoja Dekada e Re është vizioni i ri, të cilit i kanë paraprirë ndër vite shumë suksese por edhe sfida me të cilat ka rrugëtuar RDK-ja në Deçan.
Ajo para të rinjve deçanas ka theksuar se puna e palodhshme e të rinjve që rrugëtuan me PDK-në që nga viti 2000, është një rrugë e trasuar me shumë punë, angazhim, sfida dhe suksese. “Ne kemi nxjerr kuadro të suksesshme të cilët sot mbajnë pozita udhëheqëse në institucionet e vendit. Vizion i PDK-së ka qenë dhe mbetet platforma më e mirë për rininë”, është shprehur Hadergjonaj.
Sipas Hadergjonajt, rinia ka qenë prijëse e procese të mëdha në vend, e po ashtu ka qenë edhe shtylla kryesore e PDK-së në rrugëtimin e saj politik.
Deputetja Hadergjonaj ka deklaruar se Dekada e Re i takon rinisë.
Ajo i ka bërë thirrje rinisë që t’i bashkohen vizitonit të PDK-së. “Mos hezitoni t’i bashkoheni platformës Dekada e Re, sepse e kemi dëshmuar me vite se brenda PDK-së ka kualitet. Të rinjtë duhet t’i bashkohen karvanit të Dekadës së Re”, ka deklaruar deputetja Hadergjonaj, duke shtuar se PDK-ja do të jetë hallka kryesore përmes të cilës të rinjve do t’u mundësohet të japin kontributin e tyre për shtetin, ekonominë, kulturën dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë.
Hadergjonaj ka falënderuar për punën e palodhshme ndër vite të Kadri Kadrijaj, Mirdita Mazrekajt, Mentor Neziraj, dhe të gjithë strukturës aktuale të RDK-së në Deçan.
Po ashtu, në hapjen e fushatës së këtij procesi zgjedhor me nga një fjalë rasti iu drejtuan të rinjve u.d. kryetari i RDK-së në Deçan, Fidan Qufaj, pastaj sekretari i degës së PDK-së në këtë komunë, Mon Selmonaj dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, ish-deputeti Adem Grabovci
Të gjithë njëzëri kërkuan angazhimin edhe më të madh tek të rinjtë për konsolidimin dhe vazhdimin e vizionit të RDK-së, në platformën e brendshme zgjedhore Dekada e Re.