Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot ka vendosur që më 22 gusht të shpërbëhet Kuvendit.
Më 22 gusht, me fillim prej orës 10:00, do të mbahet seanca për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.
Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës, mbledhje kjo e cila ishte iniciuar nga kryekuvendari, Kadri Veseli.
Mirëpo, për Lëvizjen Vetëvendosje, 22 gushti është shumë i largët, shkruan lajmi.net.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky subjekt politik kishte kërkuar që seanca për shpërbërjen e Kuvendit të mbahej 8 ose 14 gusht.
Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka thënë se deri më 22 gusht subjektet e tjera politike mund të futen në pazare për qeveri teknike ose mandatar të ri pa zgjedhje.
Postimi i plotë i Haxhiut pa ndërhyrje:
Caktimi i seancës për shpërbërjen e Kuvendit me datë 22 duket shumë i largët për dy arsye të paktën.
Së pari për shkak të nevojave që ka vendi për shkuarjen sa më parë në zgjedhje dhe së dyti për shkak mundësisë që subjektet tjera të futen në pazare për qeveri teknike ose mandatar të ri pa zgjedhje.
Propozimi jonë në mbledhje të Kryesisë ishte që seanca për shpërbërjen e Kuvendit të mbahet me datë 8 ose 14 gusht.