Lidhja Demokratike e Kosovës sot mbajti Konventën e IX-të zgjedhore, ku me aklamacion u rizgjodh në krye të partisë Isa Mustafa. Ndonëse ende nuk janë kryer procedurat për zgjedhjen e nënkryetarëve dhe të kryesisë, po aludohen disa emra brenda partisë që kanë gjasa të mëdha të kandidohen për kryeministër të Kosovës. Lutfi Haziri, edhe pse lë të kuptohet se ka ambicie të kandidojë për shef të Qeverisë, ai e pranon se gjasa të mëdha për këtë post ka Vjosa Osmani, me të cilën para pak kohësh pati mosmarrëveshje.
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë se është herët të spekulohet për emrat e kandidatëve për kryeministër dhe se me kohë do të bëjnë publike diçka të tillë.
‘’Ne tash i kemi çështjet e konstituimit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, zgjedhjen e nënkryetarëve dhe të kryesisë dhe hartimin e listës kandiduese. Kur të vjen radha tek puna e kryeministrit ne ju njoftojmë me kohë dhe keni me qenë të njoftuar. Ju lutem të mos merreni me spekulime ju mediat’’, ka thënë Haziri.
I pyetur nëse ka interesim të kandidojë për postin e kryeministër, ai thotë se kjo është ambicia pse është në politikë.
‘’Jo. Unë jam i interesuar dhe i zgjedhur që të jem kryetar i Gjilanit. Unë për çka jam në politikë. Për këto ambicie jam në politikë, s’jam për sy të zi’’, është përgjigja e Hazirit.
Haziri, përkundër përplasjeve që kishte pasur me Vjosa Osmanin, mendon se kjo e fundit gjithmonë ka pasur dhe vazhdon të ketë gjasa të mëdha për postin e kryeministres.
‘’Vjosa Osmani gjithmonë i ka pasë gjasat dhe ka me i pasë. Edhe sot u konfirmu edhe ajo çështje. LDK është unike edhe pritet rikthimi i madh i LDK’së, por nuk lidhet me asnjë emër të përvetçshëm. LDK e ka një ekip të madh dhe ekipi do të dalë fitues, dhe jo individi. Është spekulative me u marr me individin. Prej sot, LDK ka të bëjë me ekip, e jo individ’’, ka thënë Haziri për Periskopin.
Në media po raportohet se Vjosa Osmani, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu janë emrat e mundshëm për t’u propozuar për kryeministër, megjithatë nga LDK asgjë nuk është bërë zyrtare. Këtë nuk deshi ta komentojë as kryetari Isa Mustafa pas përfundimit të konventës së sotme.
Kosova gjendet në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat janë paralajmëruar gjatë shtatorit. Megjithatë një vendim zyrtar pritet të merret në ditët në vazhdim nga presidenti Hashim Thaçi. Kryeministri Ramush Haradinaj para dy javësh dha dorëheqje pas ftesës nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Subjektet politike në vend kanë nisur të dalin me kalkulime rreth koalicioneve të mundshme parazgjedhore dhe paszgjedhore. LDK është deklaruar se kanë dy vija të kuqe për PDK’në, ndërsa koalicion do të lidhnin me Vetëvendosjen, por me kushtin që ata ta kenë kryeministrin. LDK nuk ka përjashtuar për koalicion as Nismën, PSD’në e AAK’në.
Procesi i Kuvendit Zgjedhor të LDK’së u mbajt me dyer të mbyllura për publikun dhe nën kontroll gjatë gjithë kohës nga sigurimi.
Lideri i LDK’së, Isa Mustafa e ka eliminuar nga gara Fatmir Sejdiun, të cilit s’ia ka aprovuar kërkesën që të hiqen nënshkrimet për të qenë pjesë e garës për shef partie. Sejdiu kishte kërkuar që mos ketë 50+1 për qind të nënshkrimeve për t’u bërë pjesë e garës. Si përfundim, Sejdiu adresoi akuza të rënda ndaj partisë së vetë.
”Kjo ishte përsëritje e asaj që ndodhi më 2015, shkaku i normës 50 + 1. Ajo normë është për liderin e partisë që ua pamundëson garën të tjerëve. Delegatët janë përballur me një sfidë ndryshe kësaj radhe. Ishte votë e ngufatjes së mendimit të lirë. I kuptoj edhe njerëzit që u kërcënuan se të hënën nuk do të mund të shkonin në punë. Ata 78 që më përkrahen nuk e kanë hallin e punës”, ka thënë Sejdiu.
LDK e mbajti të fshehur kandidatin konsensual deri në ditën e votimit, duke mos zbuluar asgjë deri më sot. Fatmir Sejdiu, Melihate Tërmkolli e disa emra të tjerë dolën haptas kundër Isa Mustafës, i cili po kritikohet për rizgjedhje edhe për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
LDK po kritikohet me të madhe edhe pse nuk po i lë vend njerëzve të rinj të marrin udhëheqjen e saj.