Deputetja e LDK-së dhe Kryetarja e Forumit të Gruas Lirie Kajtazi në një intervistë për Gazetën Express ka folur për Kuvendin e nesërm zgjedhor të LDK’së ku do të përcaktohet kreu i ri i partisë. Kajtazi është përgjigjur në pyetjet nëse 28 delegatët e Gjilanit do të votojnë për Lutfi Hazirin nëse ai kandidon për kryetar, nëse duhet të ketë marrëveshje si dhe a duhet të jetë kryetari i ri i LDK’së edhe kandidat për Kryeministër etj.
Gazeta Express: A pritet që delegatët e Gjilanit në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së të përkrahin unanimisht Lutfi Hazirin në kandidaturën e tij për Kryetar?
Lirie Kajtazi: Edhe vet Kryetari Haziri preferon një marrëveshje për kandidat konsensual për Kryetar të partisë, kështu që edhe Gjilani është unik në këtë çështje.
Gazeta Express: LDK do ta zgjedhë kryetarin si në vitin 2015 kur ishte eliminuar nga gara Vjosa Osmani. A duhet të ndryshojë kjo që të jepet mundësi për më shumë kandidatura dhe që votimi të jetë i fshehtë? Po ashtu na intereson a do ta përkrahni ju një marrëveshje për kandidat konsensual për kryetar të partisë?
Lirie Kajtazi: Kuvendi punon sipas statutit që ka, kështu ka punuar edhe në vitin 2015 keni mundur ta keqkuptoni, nuk ka patur eliminime. Për ti dhënë peshën e duhur të parit të partisë është norma statutare e cila për deri sa të jetë më fuqi duhet të respektohet. Pa marrë 50% plus një votë të delegatëve të Kuvendit nuk miratohet asnjë kandidaturë. Kur të na duket e rreptë, Kuvendi mund të ndryshojë, por jo ta shkelë.
Gazeta Express: A mendoni se dy emra të përveçëm në LDK për Kryetar të partisë dhe për kandidat për Kryeministër duhet të jenë të ndryshëm, apo besoni se Kryetari i ri i LDK-së duhet të jetë edhe kandidat për Kryeministër?
Lirie Kajtazi: Mendoj se jo domosdosmërisht duhet që Kryetari i LDK-së të jetë edhe kandidat për Kryeministër, por një gjë e ka treguar praktika se kur bashkohen në një emër disi del më e fortë.
Gazeta Express: A besoni se LDK duhet të bëjë koalicion parazgjedhor me ndonjë parti apo të shkojë e vetme në zgjedhje, nëse po me cilën parti?
Lirie Kajtazi: LDK duhet të shkojë vet në zgjedhje, të kuptohet drejtë nga qytetarët se vërtetë ajo është partia që ata e duan më se shumti, jo t’ja transferojmë besimin dikujt tjetër.
Gazeta Express: Në rast të një koalicioni parazgjedhor me Vetëvendosjen, a duhet të bëjë LDK kompromis për postin e Kryeministrit?
Lirie Kajtazi: Jo, LDK nuk duhet të bëjë kompromis me postin e Kryeministrit.