
Para se të mbahej mbledhja e Kryesisë së LDK’së, kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, ka pasur një takim në ‘katër sy’ me ish’kryetarin e kësaj partie, Fatmir Sejdiu, ku ka shprehur gatishmëri që këtë të fundit ta propozojë si kandidat konsensual për kryetar të partisë.
Gazeta Online “Reporteri.net”, nga burime të afërta me Mustafën dhe Sejdiun, ka mësuar se në këtë takim është zhvilluar bisedë shumë konstruktive, dhe ka pasur një pajtim nga kryetari aktual i LDK’së, që Sejdiu të rikthehet në krye të partisë, si kandidat konsensual.
Sipas këtij burimi, Mustafa i ka thënë Sejdiut, se nëse i ke votat për t’u bërë kryetar i partisë, atëherë do ta ketë mbështetjen e tij. Ndërsa, përgjigja e Sejdiut ka qenë, se ai tashmë e ka ndarë mendjen për të kandiduar për kryetar, në Kuvendin e 3 gushtit.
Në mes të dyve, Mustafës dhe Sejdiut, thuhet se ka pasur pajtim, që partia nuk duhet lënë të merret nga figura politike të LDK’së, të cilat përçojnë interesa të grupeve dhe jo interesin e përgjithshëm të partisë, shkruan Reporteri.net.
Ambicien e tij për të marrë drejtimin e LDK’së e thënë hapur edhe vetë Sejdiu pas takimit me Mustafën, të zhvilluar sot në zyret e partisë.
“Pata një takim me kryetarin Mustafa, dhe qasja që unë i ofrova ishte tepër konstruktive, që ai bashkë me kolegët tjerë të vlerësojnë momentin dhe ndjeshmërinë në të cilën gjendet LDK por edhe vendi. Në këtë kuadër unë kam shprehur gatishmërinë time që të marrë përgjegjësitë e duhura në udhëheqje të LDK’së. Paraqitja e kandidaturës sime do të jetë formale. Janë edhe dy ditë tjera, dhe do ta analizojë deri atëherë, dhe janë delegatët ata që vendosin”, tha ish-presidenti i Kosovës.
Se brenda LDK-së ka vullnet për të gjetur një kandidat, siç e quajti ai ‘figurë përbashkuese’ për kryetar të partisë, e ka konfirmuar zëdhënësi i saj, Besian Mustafa, pas mbledhjes mbi dy orësh të kryesisë, që u mbajt të enjten në selinë qendrore.
“Kryesia vlerësoi lart interesimin dhe pretendimin për të kandiduar nga disa kolegë në kryesi me kontribute shumë të larta në LDK për 30 vjetët e fundit. Kryesia dhe gjithë anëtarësia e LDK-së vlerëson se është shumë e rëndësishme që në krye të LDK-së të jetë një figurë përbashkuese – zgjidhje për të cilën po punohet intensivisht deri më 3 gusht”, ka thënë Mustafa para mediave, por pa specifikuar nëse kjo nënkupton një marrëveshje për një kandidat konsensual për postin e të parit në LDK.
Nga ana tjetër, disa media kanë raportuar se emri konsensual për tu zgjedhur kryetar i kësaj partie në Kuvendin zgjedhor të 3 gushtit, është kryetari aktual i LDK-së Isa Mustafa. Për këtë të fundit, po ashtu, ditë më parë është raportuar së është tërhequr nga gara, shkaku i gjendjes së tij shëndetësore.