
Viti 2017 në politikën kosovare ishte vit i krizës.
Pas rrëzimit të qeverisë së Isa Mustafës, në Kosovë ishte krijuar blloku i VLAN, nga partitë Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aaleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate, shkruan lajmi.net.
Partia Demokratike e Kosovës, në anën tjetër ishte e vetme përkrah bllokut të formuar kundër saj.
Pak para zgjedhjeve, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe mosarritjes së një konsensusi sa i përket kandidatit të përbashkët për kryeministër, blloku VLAN u shpërnda.
Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës së bashku me Nismën, iu bashkuan Partisë Demokratike të Kosovës për të shkuar në zgjedhje me listë të përbashkët.
Kadri Veseli u përcaktua si bartës i listës, ndërsa i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj u caktua të jetë kandidat i përbashkët për kryeministër të vendit.
PDK, AAK dhe Nisma shkuan së bashku në zgjedhje, Vetëvendosje shkoi e vetme ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, me vete mori AKR-në e Behgjet Pacollit dhe Alternativën e Mimoza Kusarit.
Pas zgjedhjeve, subjekti më i votuar politik doli të jetë koalicioni PAN, duke lënë mbrapa Vetëvendosjen dhe koalicioni LAA të LDK-së, AKR-së e Alternativës.
Pas një ngërçi politik të krijuar pas zgjedhjeve, edhe blloku LAA u shpërbë.
Aleanca Kosova e Re, iu bashkua koalicionit PAN dhe kështu u formua qeveria.
Ramush Haradinaj kryeministër, Kadri Veseli kryetar i Kuvendit, Fatmir Limaj zëvendëskryeministër dhe Behgjet Pacolli Ministër i Punëve të Jashtme e zëvendëskryeministër ishin krerët e qeverisë së formuar atë vit.
Tani, në vitin 2019 kur Kosova ka hyrë në një krizë të re politike – pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Në opinion po fliten e përfliten koalicione të mundshme para e paszgjedhore.
Mundësia e një koalicioni midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes ka rënë poshtë, pasi asnjëra nga këto dy parti nuk bëjnë kompromis për postin e kryeministrit.
Por, sa është i mundur një koalicion PAN 2?!
Lajmi.net ka kontaktuar me partitë politike të cilat ishin pjesë e këtij koalicioni për t’i marrë qëndrimet e tyre në lidhje me një koalicion të mundshëm PAN 2.
Nënkryetari i PDK-së dhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi për lajmi.net është shprehur se janë duke u përgatitur për zgjedhje të parakohshme dhe kjo është e gjitha.
“Fokusi ynë është tek përgatitjet për zgjedhje të parakohshme dhe për këtë jemi duke u përgatitur intensivisht”, tha Krasniqi për lajmi.net.
Në anën tjetër, deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti për lajmi.net është shprehur se nuk kanë në tavolinë asnjë kalkulim për koalicione parazgjedhore.
“Jo, jo, nuk i trajtojmë këto tema dhe nuk i diskutojmë. Jemi në gjendje të dorëhequr institucionale të qeverisë dhe të shohim. Nisma po përgatitet të merr pjesë e vetme në zgjedhje dhe nuk kemi asnjë kalkulim në tavolinë për ndonjë koalicion parazgjedhor”, tha Hoti për lajmi.net.
Ndërkohë, Hoti ka lënë të kuptohet se Nisma mund të ketë marrëveshje me dikë, duke u shprehur i sigurt se do të jenë në udhëheqjen e vendit.
“Ne jemi duke u mobilizuar të marrim detyra të reja dhe jemi të sigurtë se do të jemi në udhëheqjen e vendit”, tha Hoti.
E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj për lajmi.net ka thënë se AAK po punon për zgjedhje ndërsa për të tjerat vendos këshilli drejtues.
“AAK po punon edhe është mobilizuar për zgjedhje. Për çdo veprim vendos kryesia dhe këshilli drejtues”, tha Kadriaj për lajmi.net.
Sa i përket koalicioneve para dhe pas zgjedhore, disa parti kanë vënë vija të kuqe kundër Partisë Demokratike të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje e Partia Socialdemokrate publikisht kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në.
Por, këtyre deklaratave iu është përgjigjur nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i cili tha sot se: “pikërisht ato parti të cilat kanë vënë vija të kuqe, kanë përfunduar në gjirin e PDK-së”.
Se çfarë pritet të ndodh në skenën politike dhe cilat do të jenë kombinimet para e pas zgjedhore – këto pritet të kuptohen pas shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.