Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) ka reaguar pas emërimit të Nuredin Krasniqit në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës.
“Dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se lajmi për emërimin e z. Nuredin Krasniqi për u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës Sh.A. nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është i pavërtetë. Gjithashtu, pretendimet për ‘njoftimin e dërguar nga ana e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike për ndërmarrjen e hapave/veprimeve të nevojshme në raport me gjendjen e krijuar’ nuk është i vërtetë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka dërguar ose udhëzuar ndërmarrjen e asnjë veprimi”, është thënë në reagimin e MZhE-së.
Më tej thuhet se MZhE-ja me kujdes është duke u angazhuar që të gjejë zgjidhje sa më të shpejt sa i përket Telekomit të Kosovës Sh.A.
“Në këtë drejtim, brenda muajit mars pritet të emërohet Bordi i Drejtorëve i cili sipas dispozitave ligjore në fuqi do të procedojë tutje me zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes. MZhE-ja në cilësinë e pronarit të ndërmarrjeve publike, mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit në tërësinë e tij, rrjedhimisht, asnjë vendim i njëanshëm nuk krijon efekt juridik dhe si i tillë nuk njihet”, është thënë në reagimin e MZhE-së.