Festim Lato, që njihet si themelues i Republikës së Çamërisë, është vrarë sot në Holandë. Deri më tash nuk dihen as arsyet e vrasjes dhe as nëse ka lidhje me veprimtarinë e Latos për pavarësinë e Çamërisë.
Mirëpo, kush ishte Festim Lato, personi që pretendonte ta shpallte Çamërinë të pavarur. Për realizimin e këtij akti, ishin planifikuar aktivitete që mendohej se do të zhvilloheshin edhe në Kosovë.
Festim Lato akuzohej se ishte agjent i shërbimeve sekrete greke dhe se aktiviteti i nisur nga ai, vlerësohej se do ta përkeqësonte pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare
Lato, në vitin 2005 kishte shpallur edhe Ushtrinë Çlirimtare të Çamërisë, e cila në qytetin e Janinës asokohe i kishte shpërndarë disa fletushka për çlirimin e Çamërisë nga Greqia.
Kjo organizatë kishte vendosur edhe disa eksplozivë që shpërthyen pa ndonjë dëm pranë shtyllave elektrike të tensionit të lartë. Kurse, në vitin 2006, ajo kishte dalë edhe në ekranet e televizioneve greke me flamurin shqiptar, ku disa persona të maskuar mbanin në krahët e tyre automatikët kallashnikovë, prodhim shqiptar.
Në atë kohë ishte duke u diskutuar për pavarësinë e plotë të Kosovës.
Burime të Gazetës Fjala tregojnë se ishte viti 2006 dhe e gjithë diplomacia serbe dhe shërbimet sekrete të saj, të ndihmuara nga ato ruse, po bënin të pamundurën që të ndalonin pavarësinë e Kosovës dhe, me të gjitha mjetet, kërkonin një shkak që do të tërhiqte vëmendjen e opinionit politik dhe shoqëror.
Përpos Festim Latos, i dyshuar ishte edhe babai i tij. Thuhej se edhe ai i shërbente agjenturës greke dhe përcillej me vite nga Sigurimi i Shtetit të Shqipërisë. Lato ishte pjesëmarrës edhe në luftën e UÇK-së. Ai gjatë asaj kohe, sipas burimeve të Fjalës, kishte realizuar fotografi dhe xhirimi që dyshohej se ia raportonte dikujt jashtë vendit.
Festim Lato, ai që mbrëmë paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Çamërisë, prej atëherë më nuk shkonte shpesh në Shqipëri.
Atje nuk do të ketë as aktivitet, sipas informacioneve që posedon Gazeta Fjala.
Shteti shqiptar ka ndaluar aktivitetin e tij atje dhe çdo aktivitet i njerëzve të afërt të tij monitorohet zyrtarisht.
Sipas raporteve të SHISH-it, një nga detyrat kryesore që i ishin ngarkuar atij ishte ajo e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Çamërisë për luftë kundër Greqisë, në një moment vendimtar për Kosovën, e cila prej asaj kohe është zhdukur tërësisht.
Burime të gazetës thonë se asokohe, Greqia në njërën anë synonte ta theksonte kinse provokimin shqiptar për Çamërinë dhe implikimin e Kosovës në çështjet greke, duke i dhënë një armë e fuqishme Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.