
Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në ministerialin e organizuar në Washington nga sekretari i shtetit Mike Pompeo ka paraqitur gjendjen në Kosovë dhe atë çfarë është bërë në mbrojtje të lirive fetare.
Pacolli ka thënë se ka paraqitur mozaikun multietnik dhe multi-fetar të Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Postimi i plotë i Pacollit:
Në fjalimin tim në Ministerialin mbi liritë fetare të thirur nga Sektetari Amerikan i Shtetit paraqita mozaikun multietnik dhe multi-fetar të Kosovës.
Liria fetare është një parim që ka rëndësi për ne, për shkak të historisë sonë, trashëgimisë sonë dhe të ardhmes sonë.
Në rrugëtimin tonë përpara ne duhet të shohim përsëri në traditën tonë të gjatë të bashkëjetesës paqësore midis feve të ndryshme, ne, myslimanët, katolikët, ortodoksët, protestantët, hebrenjtë dhe shumë komunitete të tjera jetojmë së bashku në harmoni dhe bashkëjetesë.
Kushtetuta e Kosovës promovon praktikimin e pakufizuar të besimit dhe i jep trajtim të barabartë të gjitha feve në Kosovë dhe pasuesve të tyre.
Ne kemi përfshirë instrumentet e Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Evropës si pjesë e sistemit tonë ligjor.
Aktualisht Parlamenti ynë është duke punuar për të miratuar një ligj modern mbi liritë dhe të drejtat fetare që i imponon këto instrumente ndërkombëtare dhe parimet tona kushtetuese në legjislacionin kombëtar.
Kosova po krijon mekanizma institucionalë që do të forcojnë angazhimin e Qeverisë me të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë.
Kosova është një shembull në rajon dhe më gjerë në lidhje me tolerancën ndërfetare dhe bashkëjetesën e religjioneve.
Ne do të promovojmë këtë vlerë dhe trashëgiminë e Kosovës dhe jemi të lumtur ta ndajmë atë në mbarë botën.
Ne do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë Amerikane për të adresuar rëndësinë e lirive fetare dhe për të marrë iniciativa të përbashkëta me partnerët tanë.