Gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës janë mbledhur në Hagë për plenaren e tretë, ku ndër të tjera gjykatësit u përqendruan në detyrat për t’u realizuar në të ardhmen.
Sipas një njoftimi të Gjykatës, me miratimin, rishqyrtimin dhe hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave gjatë Plenares së parë dhe të dytë, mbajtur në vitin 2017, në korrik të atij viti gjykatësit krijuan kushtet që Dhomat e Specializuara të jenë plotësisht funksionale në aspektin gjyqësor. Duke qenë se Rregullorja nuk është provuar ende në praktikë, kësaj radhe nuk ishte e nevojshme të propozohen ose diskutohen ndryshime të saj.
“Në Plenare gjykatësit u informuan për veprimtaritë e Zyrës Administrative gjatë vitit të kaluar, të cilat kanë mundësuar edhe më tej zbatimin efikas të mandatit të Dhomave të Specializuara. Gjatë diskutimeve, gjykatësit u përqendruan në detyrat për t’u realizuar në të ardhmen. Në pajtim me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar, të gjithë gjykatësit e Dhomave të Specializuara janë pjesë e Regjistrit të gjykatësve, por nuk marrin kurrfarë pagese apo përfitimi vetëm nga fakti se bëjnë pjesë në këtë Regjistër. Gjithashtu, ata janë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara vetëm sipas nevojës, me kërkesë të kryetares, për të ushtruar funksionet që kërkojnë praninë e tyre. Një shembull i tillë janë Plenaret, që synojnë shkëmbimin e mendimeve midis gjykatësve dhe që zakonisht mbahen në prani të tyre në mjediset e Dhomave të Specializuara”, thuhet në komunikatë.