Masakra dhe gjenocidi serb në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës është një prej krimeve më të tmerrshme që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Forca paramilitare serbe nën direktivat e gjeneralit famëkeq Ratko Mlladiq, kanë vrarë mbi 8000 civilë të pafajshëm myslimanë, kryesisht djem të rinj dhe burra.
E përkundër se kishin kaluar 24 vjet nga kjo ngjarje e tmerrshme, dje varrezave në Potoçari në afërsi të Srebrenicës i është shtuar edhe një varr, ku do të prehen eshtrat e një personi të mbytur para 24 vjetësh.
E sa herë që vjen përvjetori i Masakrës së Srebrenicës, një nga skenat më të dhimbshme është ajo e babait, Raminit, që e thërret djalin e tij Nerminin të kthehet nga mali, për t’u bashkuar me të gjithë meshkujt e tjerë, duke i thënë se asgjë e keqe nuk do të ndodhte, pasi ashtu i kishin mashtruar forcat serbe.
“Nermin eja këtu… jemi të lirë nga serbët.. nuk po na bëjnë asgjë”, thërriste i dëshpëruar ai.
Më pas të dy, babë e bir, ishin vrarë, ndërkohë eshtrat e tyre ishin gjetur vetëm në vitin 2008.
Ata ishin gjetur në dy varreza të ndryshme masive në afërsi të Srebrenicës.
Ndërkohë në Bosnje e Hercegovinë është ndërtuar edhe një shtatore e babit të Nerminit, në kujtim të tragjedisë në Srebrenicë.
Artisti Mensud Keqo, ka bërë një skulpturë i nxitur nga kjo skenë e tmerri e ndodhur në korrikun e vitit 1995 në Srebrenicës, dhe e ka vendosur atë në Parkun e Madh të Sarajevës.
Edhe përkundër gjithë tragjedisë dhe gjenocidit, Serbia vazhdon të mohojë krimet e kryera në Bosnje e Herceogivnë.
Ndërkohë nga e gjitha bota ka pasur reagime që krimet e kryera në Srebrenicë asnjëherë s’mund të mohohen e as të harrohen.
Kështu ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Ndërsa politikani liberal, Cedomir Jovanoviq, ka thënë se 24 vjetori i Masakrës së Srebrenicës, është një ngjarje ku shoqëria duhet të ulë kokën, për gjithë atë që kishte ndodhur.
Ai thoshte së ndihej i turpëruar dhe njëkohësisht i zemëruar me gjithë atë që kishte ndodhur, duke thënë se politika e Serbisë duhet ta pranojë fajin për gjithë atë që kishte bërë.