
Sot gjatë ditës, Policia e Kosovës ka arrestuar 23 persona nga Departamenti i Patentë Shoferë, nën akuzën për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mashtrim dhe ryshfet. Për këtë aksion, ka reaguar edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, duke thënë se është e hapur për organet e drejtësisë.
Ky institucion, shtoi se Pal Lekaj në vazhdimësi ka theksuar se është i vendosur për reformim të njësisë së patentë shoferit në mënyrë që të ndalen keqpërdorimet.
“Rikujtojmë se ministri Pal Lekaj në vazhdimësi ka theksuar vendosmërinë e tij për reformim të njësisë së patentë shoferit” thuhet në njoftim.
Sipas kësaj ministrie, tani ka filluar edhe testimi elektronik për patentë shoferë, e që do të ndodhë për herë të parë në Kosovë.
“Në synimin e tij për të ndalë keqpërdorimet e mundshme në procesin e pajisjes me leje të vozitjes, dy ditë më parë, u finalizua edhe testimi elektronik “e-testimi” për patentë shofer, praktikë kjo për herë të parë në Kosovë” shkruan MIT.
Sipas njoftimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është e “hapur për organet e drejtësisë dhe pret që të ndjekin procesin deri në fund”.